Nga Leonard Veizi
Arti është në ditët e agonisë së tij. Jo vetëm se artistët e një plejade të çmuar po ikin njëri pas tjetrit, por se edhe vetë arti ndodhet në ditë fort të vështira. Në një mbijetesë gati të pamundur. I duhet oksigjen po aq sa dhe një të sëmuri rëndë në reanimacion. Duhet intubuar po aq sa dhe një i prekur nga virusi Covid. E duhet trajtuar po aq me antibiotikë venozë dhe stimulantë proteinikë.
Guljelm Radoja ishte i fundit ndër artistët që u largua. Më parë se kaq iku edhe Kujtim Gjonaj, Koço Devole, Kujtim Prodani, Rikard Ljarja, Xhevdet Ferri…. Artistë me peshë të madhe. Artistë që e kishin arritur apogjeun me karakteret që kanë stampuar mbi pelikul. Artistë që me ikjen e tyre e lanë më të varfër jetën tonë tokësore.
Më parë se kaq ata ishin të gjithë këtu, mes nesh. Ndërsa ne ishim shumë më indiferentë ndaj tyre edhe pse sa herë i kujtonim nuk harronim ku vinim epitetet e personazheve dhe batutat e tyre. Por kjo ishte shumë pak. Sepse kjo donte të thoshte se ne i kujtonim vetëm nëpërmjet personazheve të dikurshëm. Ndërkohë që koha rridhte e ata ishin aty… të braktisur.
Është një film bardh e zi, që xhiron ngadalë në një kujtesë e cila zvogëlohet vazhdimisht dhe vetë pelikula zbehet nga koha. Ka qenë gjithmonë një kujtesë e gjymtuar, sepse në 30 vitet e fundit asnjëherë nuk u dhamë mundësinë që artin e tyre ta ngrinin edhe më shumë se kishin arritur. Dhe ndoshta vetëm në këtë mënyrë kujtesa do të zgjerohej dhe filmi do të ishe me ngjyra të plota.
Kontigjenti i madh i artistëve në zë, sa vjen e po zvogëlohet. Kjo vazhdon ta bëjë edhe më të varfër jetën tonë tokësore, sepse në boshllëkun e madh e krejt gri që na ka krijuar një valë virusale që e quajmë pandemi, ajo që na ngushëllon më së shumti është pak art më shumë, ca ngjyra më tepër.
Por ne vazhdojmë me këmbëngulje të mos u japim hapësirën e duhur artistëve tanë të mirë. Sepse në egon e përbashkët, i kemi spostuar interesat drejt marketingut vetiak, në rrjete sociale ku hedhim pafund statuse banalë.
Artistët po ikin njëri pas tjetrit. Dhe bashkë me ta po bie dhe kambana e vdekjes së artit vetë.
