Nga Plator Nesturi
Shqipëria për arsye të krizës globale ka dalë nga ritmi ciklik natyror i zhvillimit të saj, por që duhet shpejt të rifutet në ritmin e saj përkundrejt lëvizjeve politike dhe reformave ekonomike nëse në qendër të reformave vendoset produktiviteti dhe kapitali njerëzor. Do të ishte një mrekulli sikur treguesi i borxhit publik të rikthehet në nivelet e para krizës. Të jemi të ndërgjegjshëm. Kriza globale ndërpreu progresin e mirë të ekonomisë dhe financave Shqiptare. Dalja nga kjo thyerje do të jetë afatgjatë dhe kërkon një vëmendje të madhe në mbështetjen e sektorit privat dhe rritjen e produktivitetit. Në çdo lloj ritmi ciklik, ekonomia e çdo vendi është subjekt i premisave të kapitali fizik teknologji njerëzor dhe financiar. Të gjitha janë të rëndësishme për të vajtur drejt një optimizmi efiçent të tyre për një rikthim sa më të shpejtë në trajektoren e para krizës. Duke besuar që projektet e mëdha strategjike duhet të vazhdojnë në mandatin e tretë për modernizimin dhe zhvillimin e premisave të infrastrukturës fizike dhe teknologjike, ka shumë rëndësi angazhimi dhe njerëzit që fusin një freski dhe energji të reja. Mënyra më e qëndrueshme dhe më e sigurtë për rikthimin e ekonomisë së vendit në ritmet e larta të rritjes është përmirësimi, i ambientit të biznesit dhe të investimeve duke intensifikuar mbështetjen ndaj sektorit privat, investimet e huaja, nxitjen e eksportit dhe konkurueshmërisë së ekonomisë dhe biznesit ne tregjet ndërkombëtare. Kjo mbështetje kërkon vendosjen e faktorit –njohuri- në qendër të projekteve të zhvillimit. Duke konsideruar një kornizë ligjore për një klimë pozitive dhe dinamike të biznesit dhe investimeve që forcon të drejtat e pronës dhe të kontratës si çështje sensitive në Shqipëri dhe duke u bazuar ne principet e transparencës dhe parshikueshmërisë ne mund të gjenerojmë më shumë investime, konkurrencë të ndershme, dhe një sistem të përshtatshëm financiar dhe infrastrukturor.
