Nga Plator Nesturi
Tashmë për zgjedhjet e 25 prillit dhe rezultatin e tyre në loja janë tre aktorë. Nuk është më vetëm PS dhe PD apo maxhorancë dhe opozitë, nëse në këtë të fundit fusim gjithë partitë e tjera që u rreshtuan me apo jashtë PD. Në lojë janë dhe faktori ndërkombëtar që së pari nëpërmjet OSBE ODIHR kanë dhënë vlerësimet paraprake dhe që raporti i plotë i mëvonshëm do të ndikojë në proceset e Shqipërisë në çështjet e integrimit. Janë tre aktorë pra, por secili me dallueshmëri të skajshme në qëndrime dhe në vlerësimet për zgjedhjet. Së pari PD vijon të njëjtin qëndrim me mosnjohjen të rezultatit, ndonëse deklarohet se grupi deputetëve të saj do të ulet në parlament në shtator. Basha vijon turin e tij të takimeve në qytete të ndryshme duke vijuar të njëjtin refren të masakrës elektorale, ndërsa kritikët i thonë të dorëhiqet si humbës. Ndërkohë vandaku i provave që PD ka paraqitur në KQZ e që kërkon përsëritje të zgjedhjeve në 9 qarqe, po rezulton si thes i shpuar me rërë. Ndërkohë PS shpalos platformën e investimeve për mandatin e tretë dhe i shtrin dorën e bashkëpunimit PD në kryerjen e reformave në dobi të vendit. Ndërsa ndërkombëtarët duket se nuk janë ndikuar aspak nga ankesat e opozitës për sa u përket zgjedhjeve. Uashingtoni dhe Brukseli theksuan se mbështesin raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, sipas të cilit, zgjedhjet ishin të mirëorganizuara nga administrata zgjedhore, fushata ishte gjithëpërfshirëse dhe dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve theksuan se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë, ndërsa nëpunësit e administratës, sipas tyre, patën presione dhe stimuj për të mbajtur anën e qeverisë. OSBE/ODIHR po përgatit një raport të plotë mbi zgjedhjet, ndërsa në raportin paraprak theksoi se procesi zgjedhor rezultoi të ishte i suksesshëm në përgjithësi, ndonëse vëzhguesit morën shumë pretendime për shitblerje votash, të cilat po hetohen. Ata dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi në Elbasan dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit. Nisur nga kjo panoramë, dhe nëse marrim gjykimin e ndërkombëtarëve si arbitër, rezultati i zgjedhjeve, pavarësisht ndonjë problematike në hetim, as që mund të vihet në diskutim dhe PD duhet të ridimensionojë vetveten dhe qëndrimet në realitetin e partisë që ka humbur zgjedhjet.
