Nga Plator Nesturi
Në këto ditë të nxehta të gushtit situata e zjarreve dhe vatrat e shpërndara në hartën e vendit, përbëjnë sfidën më të drejtpërdrejtë të emergjencave civile. Në situatë të ndezur është përfshirë i gjithë Ballkani dhe flakët po shkaktojnë dëme të mëdha në ekonomi dhe mjedis. Po kështu dhe në Itali, Spanjë e Portugali, çka përfshin një brez gjeografik që mdikohet nga pothuaj të njëjtët faktorë të klimës. Shqipëria u duk se u kap gafil nga vatrat e zjarrit që dolën jashtë kontrollit dhe pak u bë përë të ndërhyrë në kohë. Karaburuni ishte një vatër bukulake për ditë të tëra dhe tashmë, sipas kronikave të sotme, mund të rrezikojë edhe parkun e Llogarasë nëse era e favorizon drejtimin e zjarrit. Po kështu situatë e vështirë paraqitet edhe në Gjirokastër. Zjarret e vëna kryesisht nga barijtë e zonës për të çliruar kullota në interes të tyre, në kushtet e reja klimaterike, ku temperaturat e larta po zgjasin shumë në kohë, ka bërë që situara të dalë jashtë kontrollit. Gjithësesi, kjo situatë me vatra të shpërndara në gjithë vendin dhe që mund të prodhojnë efekte dhe dëme më të rënda nëse nuk mbyllen, dëshmoi se emergjencat civile nuk kanë aftësinë e duhur të përballojnë një situatë të rënduar kur kjo ka shtrirje më të madhe se një rajon i caktuar. Dhe këtu është çështja për ato fatkeqësi natyrore që për fat të keq po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimaterike, siç janë përmbytjet dhe zjarret. E thënë ndryshe eemrgjencat civile nuk janë të përgatitura për këto ndryshime që sjellin emergjenca periodike dhe thuajse të parashikueshme. Nëse i paparashikueshëm është tërmeti dhe pasojat e tij, kjo gjë nuk mund të thuhet më me stinën e përmbytjeve, kur dihet se ndryshimet e klimës i favorizojnë ato, apo të zjarreve me ngritjen e ndjeshme të temperaturave. Marrja e masave dhe sigurimi i mjeteve për të përballuar, e madje parandaluar, rëndimin e situatave të ngjashme duhet të ketë një plan të gatshëm dhe jo improvizim me kërkesat e zakonshme të ndihmës nga jashtë. E kjo së pari ndryshon që nga mënyra e drejtimit. Nuk është më e mjaftueshme të vësh në krye dikë që ka përvojë në rreshtimin e togës dhe që në raste emergjencash të paraqitet në media me cizme llastiku, si imaxh i njeriut të punës. Drejtuesi i ri duhet të jetë jo thjesht organizator, por dhe planifikues për ti dalë përballë situatave pa ndodhur. Të dijë të thithë fonde e donanacione për të forcuar jo magazinat, por mjetet e ndërhyrjes si dhe specializimin e personelit përkatës. Janë kushte të reja, ku ndryshimet e klimës paraqesin sfida që do të shtohen e në këtë mënyrë duhen dhe drejtues me një qasje të re për të përballuar këto situata.
