Nga Plator Nesturi
Bashkimi votave të opozitës me të maxhorancës për të shtyrë afatet e institucioneve të vetingut në drejtësi krijoi debat dhe vëmendje mediatike. Kjo dhe për vetë momentet që po kalon vetë e djathta dhe veçanërisht PD të ndarjes në dy fraksione që po luftojnë ashpër njera-tjetrën. 105 vota ishin më se të mjaftueshme për ndryshimet në Kushtetutë por kjo nuk mori aspak vëmendje si shprehje e vullnetit politik të partive shqiptare në favor të reformës në drejtësi se sa si dobësi nga ana e opozitës. Për këtë nuk mungoi as shpejtësia për të nxerrë nga akivi deklaratat e vjetra të Bashës që e cilësonte reformën si drejtësi e kapur nga Rama dhe përbetimet e tij për të qenë kundër kësaj rruge. Në fakt bashkimi votave të PD zyrtare për ndryshimet kushtetuese nuk përbënte asnjë surprizë. As që mund të mendohej se Basha me të tijtë do të dilte kundër sidomos kur këto ndryshime kërkoheshin me këmbëngulje nga faktori ndërkombëtar si sponsorizues direkt të reformës në drejtësi. Madje mund të thuhet se vetë Basha ishte më i interesuar se edhe vetë Rama që votat t’i çonte në përputhje me vullnetin e ndërkombëtarëve. Kjo pasi në kushtet aktuale kur Foltorja e Berishës kërkon ti marrë llokamt më të mëdha të anëtarësisë, do të ish lëvizje defiçente që Basha të dilte kundër dëshirës së ndërkombëtarëve. Mbështetja e tyre në kushtet aktuale mbetet e vetmja kartë e fortë që ka në përballjen me një Berishë non grata ndaj çdo veprim kundër do të ish vetvrasje politike. Natyrisht që kundërshtarët brenda partisë e shfrytëzuan këtë delitantizëm të Bashës për ta nxjerrë si lider të dobët, pa vizion dhe që ndryshon në mënyrë të beftë qëndrimet e tij. Deri diku kjo është e vërtetë, por ajo çfarë përbën thelbin e problemit është se diletantizmi politik tek e djathta nuk shtrohet vetëm në rastin konkret, por si një linjë që në vazhdimësi ka prodhuar vetëm deklarata në interes të momentit. Vizioni makro dhe loja sipas një panorama të përgjithshme e afatgjatë ka qenë gjithmonë defiçitare jo vetëm tek PD por dhe tek politika shqiptare në përgjithësi. Kjo hap paradigma të reja. Mungesa e një kulture demokratike në marrëdhëniet ndaj publikut dhe kundërshtarit ka sjellë që vetë kultura e dialogut të jetë larg normave të një shteti demokratik. Në vend të kësaj, e gjithë politika ditore është e mbushur me fallcitete mbeshtetur mbi deklarata “bëj sikur”. Bëhet sikur je gjithmonë kundra, bëhet sikur mban qëndrime të ashpra, bën sikur sulmon kundërshtarin mbi parimet e moralit, bën sikur çdo gjë e kundërshtarit është e gabuar dhe se zgjidhjet do të vijnë kur ti të marrësh pushtetin. Por vetëm nëse merr ti pushtetin ama… Ky lloj refreni është bërë i llodhshëm dhe natyrisht që në raste të caktuara do të shndërrohet edhe në boomerang. Kështu ndodhi dhe me çështjen e votimit të fundit, kur deklaratat e dikurshme e për efekt ditor të Bashës, i kthehen në dëm të tij dhe të forcës politike që drejton.
E keqja është se pavarësisht këtyre autogolave që natyrisht ndikojnë në debatin e sotëm që ka përfshirë PD-në, ende nuk hiqet dorë nga ky stil fëminor i zbatimit të politikës. Nëse sot kemi një përballje të ashpër brenda PD-së, dhe nëse Berisha stigmatizohet si përfaqësuesi i vjetërsirës politike, do të ishte non sens nëse vijohet me të njëjtat forma të vjetra e me deklarata radikale. Berisha mund të mposhtet pikërisht me një gjuhë të re, me mendësi të reja dhe përafrim me normat e demokracisë së brendshme. Ka qenë devijimi i tyre që e ka tharrë limfën e zhvillimit të PD-së aq sa sot një forcë e madhe si ajo nuk ka forcë të prodhojë lidership dhe të ketë forcë ndryshimi. Fushata e 6 marsit mund të ish një rast i mirë për të ndryshuar kurs. Nuk do të shërbeje për test fitoreje pasi me këtë shkërmoqje as që mund të mendohet rezultat pozitiv. Por ama mund të shërbejë për një qasje të re e të ndryshme. Për tiu drejtuar elektoratit me më sinqeritet e transparencë e larg mënyrës deklarative boshe dhe qëndrimeve radikale të ububushme. Do të jetë mënyra në përballjen me elektoratin që duket se do të përcaktojë se kush nga fraksionet do të marrë diçka më tepër se kundërshtari dhe nuk do të jetë çështje strukturash apo trysnia e forcës që do mbivendoset. Veçse kështu mund të hapet një kapitull tjetër i politikbërjes dhe i mbijetesës në politikë. Kush nuk ndryshon është i destinuar për muzeum.
