Partia politike “Mundësia” do të shënojë një vit nga themelimi i saj me një aktivitet festiv, i cili pritet të mbahet më 4 qershor, në orën 20:00, në selinë qendrore të partisë, e vendosur në pedonalen “Murat Toptani” në Tiranë.
Ky lajm është bërë me dije nga vetë kreu i kësaj force politike, Agron Shehaj, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përshkruar këto 12 muaj, të cilët kanë qenë po aq të bukur dhe sfidues për këtë parti e cila në zgjedhjet e 11 Majit arriti që të merrte mbi 40 mijë vota të shqiptarëve dhe dy mandate në Kuvendin e Shqipërisë.
“Një vit më parë nisëm një rrugë të vështirë, por të drejtë. Sot, pas 12 muajsh pune, përkushtimi dhe besimi, jemi më të vendosur se kurrë që kjo është rruga e duhur për Shqipërinë”, shkruan Shehaj.
Në ftesën publike drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve, ai u bën thirrje të marrin pjesë në këtë moment simbolik, duke e cilësuar si një etapë të rëndësishme në ndërtimin e një alternative të re politike në vend.
Partia “Mundësia” është prezantuar që në themelimin e saj si një forcë e re që synon ndryshimin e standardeve politike në Shqipëri, me fokus në integritetin, transparencën dhe përfaqësimin real të interesave qytetare. m.p.
