Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur sot se Projektbuxheti 2026 parashikon rritje të ndjeshme pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit, me efekt që nga muaji janar i vitit të ardhshëm.
Në një postim të shpërndarë nga mbledhja e grupit parlamentar socialist, Balla theksoi se rritja do të aplikohet në çdo nivel hierarkik, nga inspektorët e parë deri te drejtuesit më të lartë të strukturës. Sipas tij, paga mesatare për drejtuesit e parë do të arrijë në 171,500 lekë.
“Nga janari 2026, pagat bazë dhe shtesat për kushte pune e ushqim rriten në të gjitha nivelet. Ky është një tjetër hap në mbështetje të forcave të rendit dhe sigurisë publike,” u shpreh Balla.
Ai shtoi se qeveria mbetet e angazhuar në forcimin e rolit dhe motivimit të policisë, duke e konsideruar rritjen e pagave si pjesë të strategjisë për të përmirësuar mirëqenien dhe efikasitetin e punonjësve të uniformave blu.
Me këtë ndryshim, qeveria synon të rrisë motivimin dhe standardet e punës brenda Policisë së Shtetit, duke e konsideruar këtë sektor si një nga prioritetet kryesore për vitin e ardhshëm./mxh
