Presidenti i nderit Uli Hoeness do të kishte dashur ta sillte Florian Wirtzin te Bayern Munich në verë dhe, duke parë fillimin e vështirë të lojtarit të kombëtares te Liverpool që po hasin probleme, ai ngre akuza kundër teknikut të skuadrës, Arne Slot.
Me sa duket Slot i premtoi diçka që tani nuk po e përmbush aspak,” u shfry Hoeness në kongresin “Sport Marke Medien” në Mynih. Trajneri holandez i kishte premtuar Wirtzit “se do t’i jepte numrin dhjetë dhe se do të ndërtonte një skuadër të re rreth tij,” shtoi Hoeness, duke kritikuar: “Kjo është marrëzi! Ai mori numrin shtatë dhe skuadra e re po luan gjithçka, por jo rreth Florian Wirtz. Ndjej tmerrësisht keq për të,” theksoi ai. “Në Leverkusen ai i merrte të gjitha topat. Në Liverpool, ai merr pesë topa në një pjesë – dhe nëse humbet dy, merr notë të keqe.”
Sipas tij, Liverpool ka shumë yje të mëdhenj në fushë. Sezoni i Premier Ligës për kampionët anglezë që po vuajnë është “pothuajse i mbaruar”, sepse diferenca me kryesuesit Arsenal është “shumë e madhe”. Bayern pësoi të vetmen humbje të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve pikërisht ndaj Arsenalit. Në disfatën 3-1, shënuan Jurien Timber, Noni Madueke dhe Gabriel Martinelli për vendasit. Lenart Karl realizoi golin e vetëm të bavarezëve.
Hoeness lavdëroi Arsenalin duke e quajtur “skuadra më e mirë në botë aktualisht”. Por edhe Bajerni është në një pozicion të mirë, si i treti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, veçanërisht sepse skuadra e trajnerit Vincent Kompany është plotësisht në rrugën e duhur në Bundesligë dhe ende në garë për Kupën e Gjermanisë. 73-vjeçari e quajti “gjënë e duhur” faktin që klubi vendosi kundër blerjeve të shtrenjta të yjeve para sezonit – Hoeness përmendi Xavi Simons, Gittens dhe Benjamin Seskon si shembuj. Hoeness deklaroi gjithashtu se vendimi “i vështirë” për të mos rinovuar kontratën e ikonës së klubit, Thomas Muller, ishte i duhuri. Nëse fituesi i Botërorit 2014 do të mbetej rezervë, “i gjithë stadiumi do të bërtiste për të,” tha ai./ D.C
