FIER – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasen A.B., e cila në cilësinë e avokates akuzohet për mashtrim ndaj disa personave, duke përvetësuar shuma parash pa hapur asnjë proces gjyqësor.
Hetimet kanë zbuluar se A.B. ka përdorur pretendime të rreme për përfaqësimin ligjor të klientëve, duke i bindur ata të dorëzojnë para për shërbime që në fakt nuk janë kryer. Për të rritur besueshmërinë, në disa raste ajo u ka dorëzuar klientëve dokumente që nuk përfaqësonin realitetin.
Procedimi ka bashkuar disa kallëzime të mëparshme ndaj të pandehurës, duke përfshirë denoncime nga vitet 2018–2020, që tregojnë një model veprimi të përsëritur.
A.B. akuzohet për:
-
Mashtrim të përsëritur në dëm të viktimave A.S., K.S., O.Sh. dhe D.L. (neni 143/2 i Kodit Penal)
-
Mashtrim me pasoja të rënda në dëm të M.Sh. (neni 143/3 i Kodit Penal)
-
Falsifikim dokumentesh (neni 186, paragrafi 3 i Kodit Penal)
Prokuroria e Fierit nënvizon angazhimin e saj për hetimin dhe ndëshkimin e çdo veprimtarie që cenon pasurinë dhe të drejtat ekonomike të qytetarëve./kb
