Në Sheshin Times Square të Nju Jorkut janë përfunduar përgatitjet për ndërrimin e viteve, pasi të shtunën, më 27 dhjetor, u vendos kristali i fundit i “Constellation Ball”, topit simbol të Vitit të Ri.
Sipas një njoftimi zyrtar, topi i këtij viti është i zbukuruar me 5 mijë e 280 kristale dhe elementë ndriçimi LED, gati dyfish më shumë se edicioni i mëparshëm. Për herë të parë, dizajni përfshin edhe kristale rrethore të realizuara nga Waterford, kompania që mban statusin e kristalit zyrtar të Topit të Vitit të Ri në Times Square.
Me një diametër prej 3.8 metrash dhe një peshë mbi 5.6 tonë, “Constellation Ball” është topi më i madh i ndërtuar ndonjëherë për festimet e ndërrimit të viteve në Nju Jork.
Sipas drejtuesit global të Waterford, Bentley Hardwick, dizajni i këtij viti pasqyron tema si vazhdimësia, uniteti dhe ecja përpara, duke shënuar gjithashtu nisjen e përgatitjeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.
“Constellation Ball” është versioni i nëntë i Topit të Vitit të Ri që nga debutimi i tij i parë në vitin 1907, një traditë që prej më shumë se një shekulli mbledh miliona njerëz në Times Square dhe qindra milionë shikues në mbarë botën.
Nju Jorku tashmë është gati të presë Vitin e Ri nën dritën e kristaleve, në një nga festimet më ikonike në botë./mxh
