Nga arkiva.fjala.al/
Policia dhe prokuroria greke kanë rënë në gjurmët e një rrjeti trafikantësh të veprave të kushtueshme të artit në vendin e tyre. Të dhënat janë bërë publike ditëve të fundit ndërsa kanë vënë në pranga një person.
Mediet greke bëjnë me dije se ai është një burrë i moshës rreth 50 vjeç dhe se nëpërmjet tij pretendohet të shkohet tek gjithë grupi tjetër i trafikantëve.
Referuar medieve greke saktësohet se pas hetimeve të dy javëve të fundit nga Divizioni i Çështjeve Kriminale është konkluduar se shtetasi grek i cili është kapur gjatë periudhës së Krishtlindjeve në përpjekje për të shitur një kokë antike me vlera të mëdha historike është pjesëtar i një grupi të madh trafikantësh të objekteve të antikitetit të lashtë grek.
Personi në fjalë, është arrestuar në fshatin Petri në Korinth. Atij i është i është gjetur dhe konfiskuar një kokë ‘Kuru’ me gjatësi 40 cm ,të cilën ai kërkonte ta shiste për 500.000 euro. Objekti ishte fshehur mes gurëve në anë të një rruge fshati.
I prangosuri, thuhet nga hetimet e ekspertëve, kishte të paktën dy muaj që kishte nisur tratativat për ta shitur kokën. Por personat me të cilët kishte nisur bërjen e pazarit për t`ua shitur mallin kishin rezultuar njerëzit e gabuar. Ata ishin dy punonjës policie nga skuadra e hetimit që enkas kishte synim zbulimin e një prej trafiqeve më të forta në tokën helene.
Trafikanti, ose poseduesi i kokës ‘Kuru’, gjatë bisedës me dy miqtë e ri kishte shfaqur dëshirën për gjetjen e një tregu për ta shitur këtë material. Sipas të dhënave koka përbëhet nga gur gëlqeror dhe vlerësohet se është gjetur gjatë gërmimeve në zonën e Nemeas, ndaj dhe i është dorëzuar në Muzeun e Antikitetit në Korinth.
‘Kouros’ për burrat, apo ‘Koures’ për gratë – ishin emrat e statujave të mermerit me përmasa të trupave mashkullore që dominuan pas periudhës arkaike në mesin e shekullit të 6-të para Krishtit. Sipas burimeve policore dihej për më se një vit që koka në fjalë ndodhej në duart e trafikantëve të cilët nuk do të vononin të përpiqeshin ta shisnin.