Nga Ina Allkanjari
Rihapen baret, restorantet dhe pishinat në ambientet e mbyllura. Ky vendim, i shoqëruar me protokolle strikte, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, pritet t’i ndihmojë pronarët e lokaleve dhe restoranteve, të cilët ishin drejt falimentimit.
Rrëfimi për gazetën “Fjala” i disa prej pronarëve të lokaleve në kryeqytet: Vendimi i domosdoshëm, rimëkëmbja ekonomike, tejet e vështirë, hapja ka rezervat dhe kostot e veta.
Qepena të ulur, dyer me dryn dhe ambiente të boshatisura të bizneseve. Këto pamje i sheh rëndom në kryeqytet, pas kufizimeve të ndërmarra nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, që prej përhapjes së pandemisë COVID-19 në vend. Ndër bizeneset që u prekën dhe u konsideruan me rrezikshmëri për përhapjen e koronavirusit që në rastet e para të evidentuara me Covid, në muajin mars në vend, ishin pikërisht baret dhe restorantet.
Dy bizneseve më popullore dhe të dashura për qytetarët, rreth 6 muaj më parë iu deshën t’i ulnin qepenat për një peridhë të pacaktuar, një kohë e cila u shoqërua me falimentime të shumta dhe dëme të mëdha ekonomike. Rihapja në muajin qershor, pas një periudhe 3-mujore izolimi, i gjeti ato pak lokale dhe restorante që u mbijetuan humbjeve të larta, të shkatërruara ekonomikisht.
Shumë prej këtyre bizneseve gjatë periudhës së verës nuk mundën të rimëkëmbeshin. Disa prej tyre nuk kishin ambiente të jashtme, të vetmet që lejoheshin të mirëprisnin klientelë, disa të tjerë u përballën me klientelë të pakët. Frika e pronarëve ndihej teksa me hyrjen e shtatorit temperaturat filluan të bien, dhe ambientet e brendshme të lokaleve dhe restoranteve që dispononin qëndronin të boshatisura, dhe të shoqëurara me gjoba nëse dikush do tentonte të thyente rregullat dhe të mirëpriste klientelë.
Një vendim i papritur, i shoqëruar me rregulla dhe protokolle të shumta, u dha mundësinë bizneseve të tilla që prej ditës së djeshme të mirëprisnin klientelë në ambientet e mbyllura. Në një rrëfim për gazetën “Fjala”, pronarë të ndryshëm të lokaleve në kryeqytet shprehen të befasuar dhe të lumtur që prej 1 tetorit do të mund të shfrytëzojnë ambientet e brendshme të kafeneve dhe restoranteve të tyre, por rimëkëmbja për ta është ende shumë larg, pasi prej disa muajsh tashmë ekonomia e bizneseve të tyre është dëmtuar rëndë.
Pronarët e lokaleve
Shkëlqim Cani, pronar i një bar-kafeneje pranë gjimnazit publik “Ismail Qemali”, shprehet për gazetën “Fjala” se hapja e ambienteve të mbyllura të bareve dhe restoranteve në këtë periudhë kur temperaturat janë në ulje, ishte një vendim i domosdoshëm për bizneset të cilat, sipas tij, prej disa muajsh janë në prag falimentimi, për shkak të situatës së krijuar në vend prej pandemisë. “Për të qenë realistë, nuk e prisnim këtë vendim, ishim të frikësuar se do të vijonin të qëndronin mbyllur, gjë që do të sillte edhe mbylljen e lokalit.
Kjo pasi temperaturat e ulëta e bëjnë të pamundur mbajtjen e klientelës në ambientet e jashtme gjatë dimrit. Pasojat ekonomike në këtë biznes që unë drejtoj kanë qenë të rënda. Mbyllja totale rreth 6 muaj më parë, dha goditjen e parë në lokalin që kam në zotërim. Më pas, kur bizneset erdhën drejt rihapjes, ekonomia e biznesit tim ishte dëmtuar shumë, kjo pasi më është dashur të paguaj taksat, dritat, punëtorët, sigurimet, pra shpenzime të shumta të cilat janë në shifra të larta dhe të paguara nga xhepi im.
Pas rihapjes në qershor, puna ishte shumë e ulët, kjo pasi qytetarët ishin të frikësuar prej virusit i cili ende është në qarkullim. Një tjetër arsye është se klientelën më të madhe lokali im e ka prej nxënësve, kjo pasi jemi pranë gjimnazit ‘Ismail Qemali’”, shprehet Shkëlqim Cani, teksa thekson se sot mund të thotë me bindje se lokalit të tij i duhet të paktën 1 vit që të rimëkëmbet ekonomikisht.
Më tej ai tregon se vendimi i hapjes së ambienteve të brendshme të lokalit, ishte një mbështetje, pasi, sipas tij, nëse një vendim i till nuk do kishte dalë, me shumë gjasa biznese të tilla nuk do ta merrnin më veten ekonomikisht. I frikësuar se mos shifrat e të infektuarve me virus mund të rriten dhe masat kufizuese të rikthehen, Cani nënvizon që nëse diçka e tillë ndodh, do të ishte fundi i biznesit të tij. “Mos e dhëntë Zoti të kemi sërish mbyllje, shpresojmë që jo.
Do të ishte fundi i biznesit. Nuk e përballojmë dot më një situatë të tillë”, shprehet një prej pronarëve të një bar-kafeneje në kryeqytet, Shkëlqim Cani. Një tjetër pronar, Klaus Doda, i cili zotëron një bar-kafene në Rrugën e Elbasanit, në kryeqytet, shprehet se vendimi i marrë ishte i rëndësishëm, pasi prej muajsh nuk po marrin fitime nga biznesi, por ky vendim do t’i ndihmojë të mos falimentojnë.
“Për sa i përket vendimit të marrë, patjetër që është shumë i rëndësishëm, sepse deri më tani, me punën që kemi pasur në lokal jemi thuajse minus, mezi kemi mbuluar shpenzimet. Pasi me 10 tavolina që kam unë jashtë, nuk mbulohen dot shpenzimet, që janë qiraja, drita, ujë, rrogat e stafit etj. Në muajin e parë edhe të dytë, kur filluan masat kufizuese, i kam paguar të gjitha shpenzimet me lekët e mi, për të mos falimentuar biznesi”, shprehet Klaus Doda.
I shqetësuar për dëmet ekonomike të shkaktuara deri më tani në biznesin e tij, Doda shprehet se pas këtij vendimi, duhet parë në vazhdimësi, nëse do të kenë punë, pasi, sipas tij, qytetarët kanë frikë të futen në ambiente të brendshme. Më tej pronari i njërit prej lokaleve shprehet se hasin vështirësi edhe me klentelën, për sa i përket respektimit të masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. “Disa prej klientëve i respektojnë masat e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, disa të tjerë jo, dhe me klientelën është pak e vështirë, pasi s’mund të detyrohen që t’i respektojnë rregullat e përcaktuara.
Shpresojmë të kemi lehtësime, të paktën te distancat që janë përcaktuar për t’u zbatuar në ambientet e lokaleve dhe restoranteve. Pavarësisht se unë jam detyruar t’u përmbahem me përpikmëri rregullave të përcaktuara, dhe në mënyrë që ajri të qarkullojë, dritaret e lokalit i mbaj të hapura dhe kam vendosur që edhe me uljen e temperaturave t’i mbaj dritaret hapur sa më shumë që të jetë e mundur”, shprehet Doda për gazetën “Fjala”.
Ai ndalet te humbjet që ka pësuar biznesi i tij në këto muaj pandemie. Doda tregon se fitimi në lokalin e tij ka qenë i papërfillshëm, madje për disa muaj me radhë ka pasur humbje dhe i ka mbuluar shpenzimet me vështirësi.
Kemi bërë shkurtim stafi, pasi ishte e papërballueshme. Kemi qenë 8 vetë dhe tashmë jemi përgjysmuar. Për shkak të situatës së vështirë ekonomike, një turn të banakut po e mbuloj vetë, pasi nuk mbulohen shpenzimet. Virusi do të vazhdojë të qarkullojë edhe në dimër, dhe nuk pretendojmë që do të ketë ulje të shifrave, tashmë që temperaturat do të jenë më të ulëta, por shpresoj që të mos ketë përkeqësim, në mënyrë që bizneset të vijojnë të jenë të hapura.
Masat e përcaktuara shpesh janë shumë të vështira për t’u zbatuar, kjo pasi një pjesë e klientelës është e pabindur. Kemi pasur raste që jemi detyruar të përzëmë klientë, pasi nuk kanë respspektuar masat e përcaktuara për të mos përhapur virusin”, shprehet Doda, teksa thekson se shpeshherë janë detyruar të marrin masa të tilla për të shmangur gjobat, për shkak të klientëve të pabindur, të cilët nuk i respektojnë masat antiCovid.
Protokollet e sigurisë në ambientet e mbyllura, rregullat që duhen zbatuar
Baret, restorantet, si dhe pishinat në ambiente të mbyllura në vend u rihapën prej ditës së djeshme sipas protokolleve të detajuara të sigurisë, të hartuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Këto subjekte do të duhet të zbatojnë rregullat antiCOVID për t’u lejuar të ushtrojnë aktivitetin edhe në ambientet e brendshme. Ndërkohë në vendim theksohet se do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura, pub-et, klubet e natës dhe diskot.
Protokollet e sigurisë
Në protokollet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë bëhet me dije se në hyrje të bareve ose restoranteve duhet të ofrohet produkti higjienizues i duarve për klientët, duke u kujdesur për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60%. Çdo punonjës i bar-kafe ose restorantit është i detyruar të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Baret dhe restorantet do të duhet të rihapen me tavolina me nga dy metra distancë, ndërsa asnjë punonjës me temperaturë mbi 37,5 nuk do të lejohet të qëndrojë në punë.
Çdo punonjës i bar-kafe ose restorantit që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë, nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë subjektin pronar. Punonjësi duhet të telefonojë mjekun e familjes.
Gjithashtu, çdo bar apo restorant duhet të garantojë të shërbehet me meny elektronike, ose meny të plastifikuara, të cilat pastrohen e dezinfektohen. Punonjëset e arkës dezinfektojnë duart pas ędo veprimi me “cash”. Nëse pagesa bëhet në arkë, subjekti i bar- kafe ose restorantit duhet të vendosë xham mbrojtës (plexiglass) midis punonjësit dhe klientit.
Më tej në protokoll theksohet se subjekti duhet të afishojë në vende të dukshme në brendësi të subjektit bar-kafe ose restorant posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19 dhe udhëzuesin sipas tekstit të miratuar dhe sipas formatit të miratuar.
Një protokoll strikt duhet të zbatohet edhe për pishinat në ambientet e mbyllura. Në rast se një person dyshohet për COVID-19 nuk lejohet të hyjë në ambientet e brendshme të pishinës. Në pishinë nuk duhet të qëndrojë më shumë se një person në një hapësirë 3 m katrorë. Sipas protokollit, këto ambiente do të vizitohen me një orar të përcaktuar nga klientët, të cilët duhen njoftuar për ardhjen në orar dhe jo më herët.
Gjithashtu, maska është e detyrueshme në zonat përreth pishinës, ndërsa këshillohet mbajtja e saj edhe gjatë trajnimeve. Më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një videomesazhi njoftoi se nga data 1 tetor do të lejohen të hapen ambientet e mbyllura të bareve e restoranteve dhe pishinave nën rregulla strikte.
“Në vijim të paketës së masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura, si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, bëri me dije Manastirliu.
Rritet numri i të infektuarve me koronavirus, 157 raste të reja dhe 1 humbje jete
Shifrat e personave të infektuar me COVID-19 në vend vijojnë të pësojnë rritje. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit është realizuar një rekord testimesh në vend, konkretisht 1 mijë testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 157 qytetarë.
Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar: 75 raste në Tiranë, 10 në Korçë, nga 9 raste në Durrës, Berat, nga 6 raste në Fier, Gjirokastër, 5 në Vlorë, 4 në Kuçovë, nga 3 raste në Shkodër, Elbasan, Kavajë, Lushnjë, Mirditë, Divjakë, nga 2 raste në Tropojë, Kamëz, Mat, Maliq, nga 1 rast në Kurbin, Devoll, Malësi e Madhe, Përrenjas, Bulqizë, Gramsh, Patos. Gjatë 24 orëve të fundit është shënuar gjithashtu një numër rekord të shëruarish. Janë shëruar 230 qytetarë, duke e çuar në mbi 8 mijë numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.
Ndërkohë fatkeqësisht ka humbur betejën me Covid një pacient. Mësohet se ka ndërruar jetë një 66-vjeçar nga Kukësi, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë apelon për vigjilencë të shtuar në çdo ambient, të mbahen maskat, të ruhen distancat dhe qytetarët të kujdesen për higjienën. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet bizneseve që u hapën dje që të respektojnë protokollet e përcaktuara. ”Restorantet dhe baret në ambiente të mbyllura duhet të funksionojnë vetëm sipas protokolleve të sigurisë, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo subjekt.
Task-Forca e inspektimit të protokolleve anti-Covid, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke marrë masa, sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.
Situata në Kosovë
Në Kosovë situata e COVID-19 paraqitet e qëndrueshme.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 589 teste prej të cilave rezultojnë 43 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar dy raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Ndërkohë numri total i rasteve pozitive është 15663 raste nga 68463 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 627 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 123 pacientë, kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13677 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1359. Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 15 raste, komuna Fushë Kosovë 4 raste, komuna Prizren 4 raste, komuna Gjilan 3 raste, komuna Mitrovicë 3 raste, komuna Podujevë 2 raste, komuna Skënderaj 2 raste, komuna Suharekë 2 raste, komuna Viti 2 raste dhe me nga një rast Drenas, Ferizaj, Gjakovë, Kamenicë, Lipjan dhe Vushtrri.
COVID-19 – Statistika (1 tetor 2020)
Testime totale 89053
Raste pozitive 13806
Raste të shëruara 8077
Raste aktive 5341
Humbje jete 388
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2631
Durrës 582
Shkodër 391
Elbasan 299
Lezhë 291
Korçë 251
Fier 247
Vlorë 194
Kukës 149
Berat 116
Dibër 111
Gjirokastër 79