Kufomat e Vilson Cutajt dhe Klement Pepajt u gjendën pasditen e djeshme, të mbuluar me shkurre pranë njëri-tjetrit, në një zonë malore në Malësinë e Madhe. Gazeta “Fjala” ka mësuar se Vilsoni kishte një plumb në kokë, ndërsa Klementi në bark. Ndërkohë që në kërkim për këtë ngjarjeje të rëndë është shpallur Daniel Pepaj, i cili dyshohet se është ekzekutori i dy të rinjve.
Nga Elvis Myrta
Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, të cilët rezultonin të zhdukur prej një jave, janë vrarë. Pas kërkimeve intensive të policisë, efektivët e FNSH-së Shkodër kanë gjetur pasditen e djeshme në një zonë malore në fshatin Vrith, trupat e pajetë të dy të rinjve. Burime policore nga qyteti verior thanë për gazetën “Fjala” se trupat e dy të rinjve u gjetën të mbuluar me shkurre, në një nga malet e Kastratit, në Malësi të Madhe, pranë fshatit Vrith. Gjithashtu, mësohet se Pepaj dhe Çutaj pasi janë ekzekutuar janë hedhur në një zonë të thepisur, ndërsa 250 m larg nga trupat policia ka gjetur edhe një parcelë hashashi, e cila dyshohet se është mbjellë po nga këta persona. Autori i dyshuar për vrasjen e dy të rinjve është Daniel Pepaj. 25-vjeçari vijon të jetë i zhdukur dhe dyshohet se është larguar drejt Malit të Zi pas kryerjes së krimit. Policia ka dyshime se për krimin e dyfishtë i riu mund të jetë ndihmuar edhe nga një person tjetër. Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, mësohet se policia e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar Pepajn, si dhe u ka dërguar një informacion edhe homologëve malazezë, pasi ai dyshohet se fshihet në këtë shtet. Sipas të dhënave që policia dhe prokuroria e qytetit verior kanë mbledhur deri më tani, dyshohet se vrasja e dyfishtë ndaj kushërinjve ka ardhur si pasojë e konflikteve për parcelat e drogës, të cilat ishin mbjellë në zonën ku u gjetën edhe trupat e pajetë të të rinjve. Dy viktimat, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre, Danjel Pepajn, se u kishte vjedhur 50 kg kanabis. Kjo pistë u vërtetua nga autoritetet, pasi gjatë kërkimeve u gjetën disa parcela me kanabis, të cilat u asgjësuan nga uniformat blu, duke u djegur. Gjatë fazës së kërkimeve policia sekuestroi edhe një automjet, i cili dyshohet se është përdorur nga të rinjtë për të mbërritur deri në afërsi të zonës ku e kishin mbjellë kanabisin. Pas gjetjes së kufomave të dy të rinjve, forca të shumta policore kanë zbarkuar në fshatin Virth, që kjo ngjarje mos të marrë përmasa më të rënda, pasi familjet e viktimave dhe ajo e autorit të dyshuar ndodhen afër njëra-tjetrës. Denoncimi për zhdukjen e të rinjve është bërë nga vëllai i njërit prej të zhdukurve. Më konkretisht, mesditën e së shtunës vëllai i Vilson Çutajt u paraqit në komisariatin e Malësisë së Madhe dhe bëri denoncimin për zhdukjen e të afërmve të tij. Pas denoncimit policia nisi kontrollin për gjetjen e këtyre shtetasve, të cilët u gjendën të vrarë pasditen djeshme. Vilsoni rezulton të jetë një emër i njohur edhe për drejtësinë, pasi në vitin 2018 është dënuar për drogë. Ai kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu i Reçit.
Konflikti
Policia ka rindërtuar edhe dinamikën e ngjarjes ditën që pretendohet se ka ndodhur krimi. Vilsoni, Olsoni dhe Klementi e kanë keqtrajtuar dhe dhunuar Danjelin, pasi e akuzonin se u kishte vjedhur një sasi kanabisi nga parcela që ata kishin mbjellë. Pasi e kanë dhunuar ata e kanë lënë autorin e dyshuar të krimit të rëndë në fshatin Virth. Ky i fundit dyshohet se ka shkuar në banesë për të marrë armën dhe më pas është nisur për në zonën e Zagorës, ku ka marrë në telefon Klementin, për t’u takuar dhe për ta çuar në vendin ku pretendonte se kishte fshehur drogën që u kishte vjedhur. Deri në njëfarë vendi dyshohet se i ka shoqëruar me makinë tip “Benz” vëllai i Vilsonit, Olsoni dhe më pas ai i ka pritur në qendër të fshatit Vrith, pasi ata të rimerrnin sasinë e lëndës narkotike. Të 3 personat kanë marrë rrugën për në zonën e Zagorës, ku dhe dyshohet se kanë rënë në pritë të organizuar si shenjë hakmarrjeje. Pas rreth 2 orësh humbjeje kontakti dhe përpjekjesh të vazhdueshme për t’i gjetur të afërmit e tij, vëllai i Vilsonit ka njoftuar policinë. Pasi ka kryer krimin, Danjel Pepaj ka zbritur nga mali dhe dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e tij ku ka ndërruar rrobat e më pas dyshohet se ka kaluar kufirin ilegalisht dhe është fshehur në Mal të Zi. /Ra.My.Fjala.al/