Presidenti Ilir Meta nga Malësia e Madhe, ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe sidomos të rinjtë që të rrëzojnë pengesat që i vihen vendit për të ardhmen e tij evropiane. Ai tha se qytetarët nuk duhet të lejojnë të shtypen nga abuzuesit me pushtetin.
Presidenti Meta ka recituar në fjalën e tij edhe një fragment nga poezia e At Gjergj Fishtës, e cila vjen si një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama.
“O Perëndi, a ndjeve?/
Tradhtarët na lanë pa Atdhe,/
E Ti rri e gjuan me rrufe/
Lisat n’për male kot…”
Bjeru tradhtarëve”, ishte fragmenti i shkëputur nga poezia e Fishtës.
“Të punojmë për një Shqipëri të lirë e demokratike, ta bëjmë të dashur për të jetuar të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë këtu, ti mbjellim e lulëzojmë fushat e kodrat tona për të cilat është derdhur aq shumë gjak, të mos lejojmë të shtypemi nga padrejtësitë shoqërore, apo të vuajmë nga varfëria e pamerituar, apo nga dhuna shtetërore apo papërgjegjshmëria e atyre që abuzojnë me pushtetin.
Sot jemi në një betejë për liri mendimi, ekonomi më konkurruese dhe më gjithëpërfshirëse, vetëm demokracia dhe sovraniteti i popullit janë garancia për mbrojtje të përhershme të sovranitetit të atdheut dhe interesave kombëtare. Le të jetë shembulli i qëndresës së Koplikut për të rinjtë për tu përballur me sfidat e kohës, të punojmë bashkë të rrëzojmë çdo pengesë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.
Deklarata e kreut të shtetit u bë në ceremoninë solemne të përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Koplikut dhe nderimit të jetës, veprës dhe heroizmit të 77 Dëshmorëve të Atdheut të rënë për lirinë e trojeve shqiptare./Bl.Ba/Fjala.al