Nga Taulant Kullolli
Ky vit i mbrapsht u bë edhe akoma më i zymtë nga debati politik midis dy kandidatëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit në fuqi Donald Trump dhe kandidatit demokrat Joe Biden. Editorialet e gazetave më të rëndësishme botërore u mbushën nga kritikat për mediokritetin dhe banalitetin e treguar prej dy figurave, vendi i të cilëve konsiderohet akoma si epiqendër shprese për demokracinë. Por, faktet treguan të kundërtën.
Kudo, intelektualët u rebeluan dhe kritikuan ashpër gjuhën dhe shembullin e treguar prej tyre. Të parët që e bën ishin vetë amerikanët. Të gjitha mediat televizive nuk ngurruan të kritikonin debatin shterpë dhe bajatë midis dy kandidatëve. Në një kohë kur e gjithë bota, tashmë e ndarë midis Iluminatit dhe Masonëve (teori konspiracioni kjo), i kishte sytë nga fushata amerikane, kjo e fundit, zhgënjeu më shumë se kurrë.
Si pasojë, i vetmi argument që mund ti shtonte pak pikë Presidentit të SH.B.A_ve ishte sajimi i infektimit me COVID_19. Si për të thënë që, po luaj gurin rezervë, pasi në atë situatë edhe infektimi real, nuk do të dukej aq i vërtet. Në fund të fundit, në një botë ku politika i ka luajtur të gjithë gurët, e vetmja pikë ku mund të prekësh telat interesit të njerëzve, është diçka shumë e rëndë, si psh., vdekja: nga COVID_i apo nga ndonjë gjë tjetër. Në një botë ku asnjë nuk do t’ja dijë për asgjë, e vetmja mënyrë që të bëhesh protagonist tashmë është vdekja. A nuk është tragjike kjo?
Miguel de Unamuno dhe Luigi Pirandello, dy dramaturgët më të mëdhenj që bota moderne ka njohur, nuk do u kishin besuar syve që,ato që ata shkruanin si fiction një shekull më përpara, në ditët e sotme janë realitet i rëndomtë.
Në fakt, protagonizmi politik, ka vrarë çdo aspekt të jetës së njerëzve aq sa, edhe vetë njerëzit janë bërë indiferentë nga gjithçka tjetër.
Që njerëzve, atyre që përbëjnë shumicës dërrmuese të popullsisë, nuk u interesonte debati Trump-Biden dihej, por që, ky debat të tërheqin audiencë, ky po që është lajmi i vërtetë. Dhe këtu flasim për audiencë të klasit të parë, atë botërore. Po, sepse për vende të varfra dhe të pashpresa si Shqipëria, kjo është pjesë pasive e rutinës banale të njerëzve, të cilët, klimaksin e vitit kalendarik e varin nga lotaria amerikane, finalja e Champions League apo fati tragjik i ndonjë idhulli telenovelash turke.
Në fakt, në vendin tonë, si në asnjë vend tjetër, frika ndaj COVID_19, nuk përbën tashmë ndonjë kërcënim serioz apo që krijon audiencë kushedi të madhe. Në fund të fundit, numrat veçse rriten ose ulen. Ata dihet që qëndrojnë midis njëqind dhe dyqind, pra rreth njëqind e pesëdhjetë pak a shumë. Mbase, audiencëtë vetme tashmë krijojnë gafat, batutat, pohimet qesharake të deputetëve, të tipit ‘të rras golin në minutën e nëndhjetëegjashtë’, apo ‘un’kur isha kaçurrel, i kapja dashnoret duke u dhën Jack’. Pra, një klasë politike aksidentale që delirin e saj po e manifeston në mënyrë të pavullnetshme, realiste qesharake.
Problemi në këtë mes qëndron në faktin se, përtej qesharakes, është një popull i tërë që paguan haraçin e këtij degradimi total. Pikërisht, si populsit e qytetërimit Maya dikur. Dhe ajo që dihet është se, sa më shumë degradon shoqëria, aq më shumë rritet protagonizmi i një grupi të ngushtë individësh që komandojnë, të cilët përcaktohen me emrin e liderëve të tyre, historik ose jo.
Fakt është që, shtresa e ngushtë e të zgjedhurve të përhershëm për të drejtuar këtë vend, tashmë e ka humbur çdo kontakt me realitetin, ose sillen sikur e kanë humbur. Këta, kanë harruar, që këto ditë janë në prag vet-flijimi disa dhjetëra persona, të cilët akt të vetëm për të marrë djersën e punës së tyre kishin vet-flijimin. Këta të zgjedhur të përhershëm, kanë harruar që janë me qindra e mijëra njerëz që mbajnë familjet e tyre me punë artistike, sportive, rikreative apo edhe të shumë profesioneve të kohës së lirë. Të gjitha këto fusha, të cilat përbëjnë me qindra kategori punësimesh, tashmë të pezulluara nga situate e COVID_19. Në një kohë kur, këta, të zgjedhurit e përhershëm, merren me debate banale personale të tyre, çështje të mëdha kombëtare po vërtiten nëpër kancelarit botërore, ndërkohë që ata nuk janë në lartësi për të na përfaqësuar. Historia do ti përqeshin dhe gjykojë këta dhe neve si popull për indiferencën e treguar. Koha do vonojë, por ajo nuk do gënjejë.
Ralisht, kjo situatë banaliteti dhe cinizmi nuk është diçka e re. Ajo ka filluar fill pas viteve 90_të, për të mos thënë që ka qenë e trashëguar që më përpara, por me një ndryshim, mungesën e protagonizmit bajat të sotëm.
Po po, ‘bajat’, kjo fjalë arkaike turke e cila më së miri pasqyron një gjendje përçmimi, neverie, delirimi dhe psikopatie të individit. Një gjëndje e cila duket sikur nuk gjen asnjë përgjigje kur pushton një popull të tërë. Edhe pse, koha ka treguar që popujt kanë ditur ta kalojnë të këqija të mëdha si kjo aktuale që na ka pllakosur neve si shoqëri.
Te populli ynë, kjo situatë është krijuar nga protagonizmi i vetëm dhe permanent i kësaj klase politike e cila duket që i ka rrënjët shumë shumë thellë dhe është tepër e vështirë për tu shkulur. Kjo klasë, e cila, shpesh të lë përshtypjen se është pasqyra e popullit tonë
Në fakt, arsyeja përse këtu nuk rebelohet asnjë ndodh pikërisht për këtë. Për faktin se ata janë bërë pjesë e pandashme e jetës dhe e ngjarjeve të njerëzve. Ata janë prezent kudo dhe kurdoherë ku ka informacion që transmetohet nga media të gatshme të thonë gjithçka kundrejt një pagese. Nëse ti si individ, sadopak e mënjanon këtë lloj informacioni, atëherë deklasohesh si konspiracionit, antikonformist, i pa informuar apo, si dikush që duhesh anashkaluar thjesht sepse nuk je trendy. Cilat do qofshin interest apo talentet e tua, ato kanë nevojë për protagonizmin politik. Dhe jo protagonizëm si ai amerikan që bën të rebelohet media botërore,por protagonizëm që shan me fjalor rruge kur përballesh me kamerat dhe mbrapa kurriz të njerëzve jemi të gjithë shok e miq.
Protagonizmi i tepruar i politikës ka bërë që, në mënyrë të pavetëdijshme, ne të kemi nevojë për gjëra banale, mediokre, të thjeshta, pothuajse foshnjore dhe sa më shumë bajate. Madje, sa më bajate, aq më të përsëritura, në mënyrë që aspekti i vetëm që përcakton njerëzit të jetë ‘nihilizmi’. Fenomen ky, sa grotesk aq tepër bashkëkohor që ka pushtuar rininë e epokës sonë, por që, pak nga pak po pushton të gjitha moshat.
Ky aspekt i politikës tonë, nëse deri para disa vitesh ishte frekuent, tashmë po bëhet total dhe i gjithanshëm. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që njerëzit të jenë kaq të varur nga ky protagonizëm. Sigurisht, këtë e ka mundësuar gjerësisht dixhitalizimi dhe përhapja e internetit. Kjo risi e cila ka bërë që edhe budallenjtë të mendojnë dhe të veprojnë në mënyrë aktive dëmtuese. Pikërisht, pasi ata aktivizojnë shqisat nga imazhet që shikojnë. Diku një politikan me sniper në dore, dikë tjetër duke pjekur mish në hell, dikush duke u mallëngjyer nga shikimi servilit i Kryetarit apo dikë tjetër që hap paksa me djallëzi këmbët për të transmetuar 1001 mesazhe të koduara, mbase për një promovim të vonuar. Gjuha e trupit nuk gënjen asnjëherë, mbase ajo tradhton, ashtu si tradhton koha apo bashkëshorti apo bashkëshortja.
Gjuha e trupit, nëse nuk komandohet nga ideale të forta të tradhton lehtësisht. Pak a shumë si ka tradhtuar shumica e popullit tonë idealet e të parëve tanë, duke u shndërruar vetëm në individë që presim me padurim gënjeshtrën e radhës, delirin e politikanit të preferuar, batutën bajate të tij, ndryshimin e veshjes apo të modelit të flokëve, skandalin e radhës familjar apo shpenzimet marramendëse që thyejnë rekorde të mëparshme të tyre. Të gjitha këto protagonizma, që veçse konsolidohen dhe fitojnë terren në realitetin tonë të përditshëm.
Dhe ne që, të pafuqishëm shikojmë kohën që kalon, vitet që ikin, vendin që shkretohet dhe progresin socio-ekonomik i cili rri në vend numëro. Ne që, shikojmë rrogat që rritën sa një e njëqindta e taksave dhe bukuria e jetës që humb terren ndaj zymtisë së vdekjes, reale apo virtuale. A thua që qëllimi i vetëm në këtë jetë është të presim siparin e zgjedhjeve të radhës, rezultati i të cilave dihet që nuk do të sjelli asnjë ndryshim, mbase një protagonizëm edhe më bajat se ky aktuali.
La.Mi/Fjala.al