Një armik i padukshëm me të cilin sporti po lufton dhëmb për dhëmb. E në fakt, virusi korona po vë në rrezik edhe një nga garat më madhore të çiklizmit në botë, Xhiron e Italisë. Pas rastit pozitiv të Sajmon Jejtsit, dy çiklistë të tjerë dhe 6 persona të stafit kanë rezultuar pozitivë me “Covid-19”.
Çiklistët janë Steven Kruijsvijk nga skuadra “Jumbo-Visma” dhe Majkëll Methjus i “Team Sunweb”. Të dy janë ekzaminuar nga mjekët e skuadrave përkatëse dhe tashmë janë në izolim. Përsa u përket anëtarëve të tjerë të stafit të skuadrave, katër i përkasin
“Mitchelton-Scott”, njëri i “Team Ag2r-La Mondiale” dhe njëri i “Team Ineos Grenadiers”.
Edhe për ta janë marrë masat e izolimit. Skuadra Jumbo-Visma nëpërmjet një komunikate ka deklaruar se pjesa tjetër e çiklistëve dhe stafit, kanë rezultuar negativë, pas përgjigjeve të dy tamponëve dhe mund të vazhdojnë garën. Të gjitha skuadrat, me çiklistë dhe stafin e tyre në datat 11 dhe 12 tetor kanë kryer gjithsej 571 teste.
la.mi/Fjala.al