Trekëndëshi Rama-Basha-Meta, ku do të shkojnë të pakënaqurit. A do t’i mbledhë LSI-ja qejfmbeturit e Ramës dhe të Bashës në zgjedhjet e 25 prillit? Gazeta “Fjala” mëson se disa ish-deputetë dhe personazhe lokal që po largohen nga PS dhe PD pritet ti bashkangjiten Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Nga Fernada Cenko
Kur kanë mbetur edhe 5 muaj nga hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, partitë politike kanë filluar të shoshisin emrat e kandidatëve të cilët kanë një reputacion politik dhe popullor në zona e qarqe të ndryshme.
Jo të gjithëve do t’u plotësohet dëshira, prandaj dy forcat kryesore politike, PS-ja dhe PD-ja do të krijojnë shumë qejfmbetje. Që tani ka nisur “merkatoja politike”, e këtyre individëve “të zhgënjyer”, të cilët kanë dalë nga lojtarë aktivë, në “stolin rezervë”, nga ku mund të mos u vijë kurrë momenti të futen në jetën aktive politike.
Pushteti mbledh, por edhe krijon qejfmbetje, të cilat mund të shkojnë deri në braktisje. Të pakënaqurit e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialisite që janë mënjanuar, do të kërkojnë të gjejnë strehë te një forcë tjetër politike, siç mund të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo për vetë faktin se ka qenë një parti e cila ka vendosur numrat e saj të deputetëve në funksion të Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike, duke u kthyer edhe në një subjekt të dëshiruar nga secila palë.
LSI-ja ka qenë forca politike që krijon mazhorancën në Parlament që nga viti 2009, por me një shkeputje nga 2017 dhe në vijim, kur Partia Socialiste siguroi 74 mandate deputetësh dhe nuk pati nevojë për koalicion paszgjedhor.
Edhe pse është pjellë e Partisë Socialisite, LSI-ja dha kontributin e saj në krimin e qeverisë me Berishën kryeministër, në vitin 2009, pikërisht atëherë kur Rama shpresonte se ato katër mandate të arta të LSI-së nuk do të përfundonin në duart e PD-së dhe, minimalisht, do të kishte zgjedhje të reja, pasi PD-ja kishte fituar 70 mandate, PS-ja 66 dhe LSI-ja 4.
Dhe sot ajo është në krah të Partisë Domokratike, të drejtuar nga Lulzim Basha, duke i parë zgjedhjet e ardhshme në një koalicion me PD-në. Arsyeja që LSI-ja nuk bëri një koalicion paszgjdhor me Ramën, është se ky i fundit i bëri me forcat e veta numrat për të vijuar punën parlamentare dhe qeveritare vetëm.
Meqë Lëvizja Socialisite për Integrim është kthyer në një katalizator pushtetesh, shumë nga të pakënaqurit, edhe pse kanë mbajtur në duar teserën blu të PD-së, apo rozë të PS-së, do të gjejnë një oazë tek LSI-ja.
Tashmë para zgjedhjeve, Lëvizja Socialiste për Integrim, si fillim, pritet të ofertojë të pakënqurit e Ramës, pasi këta ndihen më të qetë që garojnë nën siglën e LSI-së, sepse duken brenda habitatit të tyre, por edhe për një fakt tjetër që LSI-ja shihet si një “mundësi karriere”, që në mos qoftë post i lartë, diku në ndonjë drejtori vendi gjendet… E kjo do të miklojë personazhe që mbeten të pakënaqura nga Partia Socialiste apo se kryetari i saj u soll keq.
Në një reagim për gazëtën “Fjala”, disa ish-deputetë që kërkojnë t’u ruhet anonimati, u shprehën se do të angazhohen me strukturat e LSI-së, nëse PS-ja ose PD-ja, sipas rastit, nuk i përfshin. Por nuk dihet, nëse do të jenë kandidatë apo do të ofrohen të bëjnë fushata elektorale ëndërground. Në terren po dalin ish-deputetë të cilët kanë një popullaritet të sigurt në zonë dhe nuk do t’i zhgënjejnë pritshmëritë e LSI-së. Kësaj here Meta ose Monika Kryemadhi mund të dalë me listë në dorë, për të bërë kalkulimet e duhura.
Fakti është që në LSI janë afruar personazhe politike me prirje të majta. Ndonëse historia jonë politike e pluralizmit numëron edhe prej atyre që kanë kapërcyer ylberin… Kastriot Islami, me një një karierë të spikatur në Partinë Socialiste, zgjodhi të kalonte nga Partia Demokratike, duke bërë një rokadë të madhe.
Po ashtu, i ndjeri Gjovalin Kadeli, deputet i angazhuar majtas, kaloi te Partia Demokratike dhe më pas u katapultua te Lëvizja Socialiste për Integrim. Asllan Dogjani, deputeti i Kukësit, i pakënaqur nga Partia Socialiste dhe Rama gjeti vend te Partia Demokratike. Rasti që bie më shumë në sy për një lëvizje të tillë, është ai i deputetit të Elbasanit, Luan Duzha.
Në vetëm një legjislaturë, ai ka ndërruar jo pak, por 3 parti. Për herë të parë Duzha u zgjodh deputet në zgjedhjet e vitit 2013, kur kandidonte për Partinë Republikane. Por fill pas kësaj, ai ka pranuar ofertën e Metës për të kaluar me LSI-në. Dhe nga një deputet në opozitë, nga PR-ja, ai kaloi në mazhorancë si deputet i LSI-së. Vetëm pak kohë më pas, edhe atij i vjen një ofertë nga Edi Rama, të cilën nuk e refuzoi.
Agron Duka, ish-ministër i Partisë Socialiste, në zgjedhjet e 2013 filloi të investohej në Partinë Socialiste, por kur emri i doli për të qenë kandidat në Berat, Duka iku. Për të mos u hedhur djathtas totalisht, zgjodhi siglën e Partisë Republikane për të garuar në Durrës, ku humbi madatin e dytë, për pak vota.
Si rasti i Dukës është edhe Tom Doshi, që i sigurt se do të votohej në Shkodër, preferoi të “blinte” partinë e Skëndër Gjinushit vetëm si logo subjekti, për të marrë mandatin e deputetit në Parlament. Ekzistojnë precedentë të ndryshëm në trekëndëshin Rama-Meta- Basha. Të gjithë këta që hidhen në tregun politik janë munduar të mbajnë pushtetin, edhe nëse ky ndërrim partie do t’u kushtonte në elektorat.
Të ikurit nga PS në PD
Asllan Dogjani
Kastriot Islami
Gjovalin Kadeli
Të ikurit nga PD në PS
Lefter Maliqi
Të ikurit nga PR në LSI
Ylli Shehu
Të ikurit nga PS në PR
Agron Duka (tashmë ka partinë e tij PAA)
Të ikurit nga LSI në PS
Spratak Braho
Të ikurit nga PD në LSI
I ndjeri Gjovalin Kadeli
Të ikurit nga PS në PSD
Tom Doshi
Pranuan mandatet, ku do të shkojnë deputetët që “tradhtuan”?
Dorëzimi i madateve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike u hapi rrugë disa deputetëve që ishin nga fundi në listë të përkedheleshin nga fati. Dorëzimi i mandateve bëri që në Kuvend të futeshin disa personazhe që bënin pjesë në listat fundore të dy subjekteve të cilat, me vendim të beftë, i dogjën mandatet e deputetëve. Me “një të rënë të lapsit” nga Basha dhe Kryemadhi, të pabindurit dhe ata që ishin në pritje hynë në Parlament, duke ia dhënë herë pas here votën mazhorancës.
Ishte 21 shkurti i 2019-s, kur Basha dhe deputetët marshuan drejt Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar mandatet. Në fund të fjalimit para protestuesve, Basha i ftoi ata ta ndjekin pas për hapin e radhës. “Fatin e ka vulosur populli, regjimi i Ramës ka rënë dhe le të bashkohemi në rrugën tonë, të shpresës, besimit, e të nesërmes së lirë nga krimi dhe korrupsioni. Le te hedhim sot një tjetër hap në këtë rrugë, ju ftoj, prej fundit e prej fillimit në atë drejtim, më ndiqni, për të vazhduar hapin tjetër, për djegien e qindra mandateve për listat vijuese në KQZ”- tha Basha.
Ndodhi që këtë herë t’u buzëqeshte fati këtyre deputetëve që pranuan të thyenin urdhrin Basha-Kryemadhi, por ç’do të bëjnë në zgjedhjet e 25 prillit? Ata që tradhtuan Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike, nuk do të kenë aq moral brenda vetes, sa t’u kërkojnë krerëve të këtyre partive t’i përfshijnë në listë, por as kryetarët nuk besojmë ta bëjnë një gjë të tillë, sepse të pabindurit nuk do të ngjisnin as në elektorat.
Por ku do të shkojnë këta deputetë të përkedhelur prej gati tre vjetësh? Në mungesë të alternativave, për ta duket se ka vetëm tri mënyra për t’u munduar të qëndrojnë në politikëbërje, apo të jenë aktivë në jetën publike: ose të miklojnë Ramën, për t’ua kandiduar emrin, por pa kërkuar qarqet, sepse në vendin e tyre do të quhen si tradhtarë, nëse nuk e kanë hapur një herë gojën në Kuvend; ose do të të kërkojnë nga partitë e vogla që janë në Parlament të përfshihen në zgjedhjet e përgjithshme, për shembull, siç është partia e Muslim Murrizit, së cilës mund t’i bashkohet Arlind Çaçani apo edhe Rudina Hajdari; ose secili prej këtyre do të jetë i kënaqur me kaq dhe do të shohin punët e veta me ato hëpësira që mund t’u krijohen në të ardhmen, duke shpresuar se forma qesharake e të bërit politikë të vijojë edhe për më gjatë.
Në Parlament edhe ata që dolën nga lista e PD-së dhe LSI-së nuk mund të konsiderohen të gjithë njësoj. Disa prej tyre kanë qenë aktivë në debate, të tjerë kanë artikuluar vetëm një fjalë: betohem…, kur kanë pranuar mandatin dhe më pas kanë heshtur, për t’u kthyer vetëm në ngritës kartonësh jeshilë, sa herë u është kërkuar, apo mazhoranca ka marrë nisma ligjore. Por ka nga ata që sa herë morën fjalën në foltore treguan vërtet nivelin e forcave politike për të përzgjedhur kandidatë për deputetë. Nëse Partia Socialiste pati fatin të mos ia shoshisnin “intelektin e deputetit”, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike me aletatët e tyre e treguan shumë pastër nivelin e personave të përfshirë në listë. “Telefoni i shtrenjtë”, “Këpërata” dhe “Kaçurelat me Whisky” besohet se mund të mos shihen më në Kuvend.
Kush janë deputetët e LSI-së që morën mandatet?
Aurora Mara ishte kandidate e LSI-së në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ajo ishte e dyta në listë pas ish-deputetit Përparim Spahiu, i cili ishte edhe udhëheqësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës. Ylli Shehi u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2013, nën siglën e Partisë Republikane të udhëhequr nga Fatmir Mediu.
Para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai kaloi me LSI-në, gjë e cila krijoi besimin për ta rikandiduar edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ku mori mandatin prej zhvendosjes së listës. Edmond Rrushaj ishte i nënti në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ai ka mbajtur më përpara detyrën e drejtorit të QSUT-së. Enver Roshi ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, si edhe të dekanit në Fakultetin e Mjekësisë.
ISP-ja: Deputetët e rinj e prishën imazhin e Parlamentit
Instituti i Studimeve Politike ka bërë një vëzhgim me deputetët e post shkurtit 2019. Sipas tij, deputetët “e rinj” që morën mandatet në pranverën e vitit 2019 do të mbeten rast studimor për natyrën unike të krizës, zëvendësimit dhe impaktin në Parlament dhe në politikë.
Në raportin “Parlamenti në kohën e krizës; monitorim dhe analizë janar-gusht 2019” publikuar nga Instituti i Studimeve Politike, jepet vlerësimi pozitiv për angazhimin në fjalime e debate të disave prej tyre, (Murrizi, Hajdari, Gjoni, Maliqi, Roshi, Përmeti, Musaj, Dhimitri etj.), por edhe një vlerësim kritik për një pjesë tjetër të deputetëve me tregues minimalë të efikasitetit dhe investues në rënien më tej të besimit publik te Parlamenti. Konkretisht, në raport theksohet se “integrimi i deputetëve të rinj në politikë u shoqërua gjithashtu me shqetësime dhe shpesh edhe me investim në dëm të imazhit të Parlamentit dhe të vetë politikës.
Disa deputetë nga prurjet e reja u keqpërdorën nga media dhe vetë ata preferuan të ishin viktimë e titujve kryesorë në media dhe e debateve spekulative. Kjo pjesë e deputetëve demonstroi mungesë të theksuar profesionalizmi, të njohurive politike dhe të integritetit në angazhimin e ri parlamentar”.
Deputetët e PD-LSI që nuk janë tërhequr
RUDINA HAJDARI
MUSLIM MURRIZI
LEFTER KOKA
Deputetët që dolën nga listat
ADRIATIK ALIMADHI
ALBAN ZENELI
AMRA BAROVA
ANDI PËRMETI
ARBEN ELEZI
ARDIANA JAKU
ARLIND ÇAÇANI
ARTUR RROSHI
AURORA MARA
BESNIK TROPLINI
EDIOLA BRAHO
EDLIRA HYSENI
EDMOND RRUSHI
EDMOND STOJKU
ELDA HOTI
ENADA KAPLLANI
ENVER ROSHI
ERION PICIRI
ERVIS MEÇO
EUGEN BOJAXHIU
HALIT VALTERI
JAKIN HALILI
KLAJDI QAMA
KOÇI TAHIRI
KORAB LITA
KOSTAQ PAPA
KRENAR RRYÇI
KUJTIM GJUZI
LIGORAQ KARAMELO
MAJLINDA HALILAJ
NIMET MUSAJ
RALF GJONI
RAMAZAN GJUZI
REME LALA
SELAM JENISHEHRI
SUZANA TOPI
VASIL STERJOFSKI
YLLI SHEHU
ZEF SHTJEFNI
la.mi/Fjala.al