Mposht Sëlltikun 3-1 në takimin e sjellë për sportdashësit nga Rrjeti i RTSH-së. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka nisur të enjten rrugëtimin e fazës së grupeve të sezonit të saj të ri, një sezon që do të vijë sërish në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.
Dhe, përveçse ka sjellë në kanalin RTSH Sport në kohë reale, duke nisur nga ora 18:55 e deri në ora 23:00 të gjithë golat e të 24 takimeve të mbrëmjes, transmetuesi publik ka sjellë në kanalin RTSH 1 edhe përballjen më të spikatur, atë midis Sëlltikut dhe Milanit.
Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Sëlltik Park”, ka parë kuqezinjtë ta mbizotërojnë takimin dhe të kalojnë në epërsi pas vetëm 14 minuta lojë, me anë të Rade Kruniçit, i cili përcjell në rrjetë një pasim të Samuel Kastijehos. Milani do të vijojë të administrojë epërsinë dhe të gjejë edhe një gol të dytë 3 minuta para fundit të pjesës së parë, kur Brahim Diaz godet bukur brenda zone dhe përshëndet rrjetën. Pjesa e dytë ka Milanin të administrojë epërsinë dhe tërheqë disa titullarë, përfshi edhe Zllatan Ibrahimoviçin.
Ndërsa Sëlltiku ka nisur të guxojë dhe të synojë më tepër edhe portën kundërshtare dhe do ta gjejë golin 14 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Eljunusi shkurton shifrat. Sëlltiku do të këmbëngulë, por Milani do të mbrohet dhe madje do të gjejë edhe golin e 3-të në minutat shtesë, me anë të të sapofuturit Haug. Milani fiton kështu me rezultatin 3-1, duke ndarë kreun e renditjes së grupit H me Lilën, që ka fituar 4-1 në Pragë ndaj Spartës në takimin tjetër.
la.mi/Fjala.al