Avokati Gjergj Neli, i cili u arrestua pasditen e së martës nga Policia e Lezhës për kundërshtim dhe dhunë ndaj uniformave blu, do të hetohet në gjendje të lirë.
Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj 68-vjeçarit.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua në ambientet e spitalit ku po merr mjekim avokati Neli i cili u dërgua pak orë pas arrestimit për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Gjendja e tij shëndetësore ka detyruar prokurorin Erjon Shehaj të kërkoi që ai të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të rendit publik”, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtari Artan Hajredinaj.
Referuar veprimeve hetimore dhe aktit të ekspertimit thuhet se avokati Gjergj Neli ka kundërshtuar dhe goditur njërin nga efektivet e policisë, të cilët kishin shkuar për të ndërhyre pas njoftimit që kishte mbërritur në sallën operative për një konflikt mes avokatit dhe bashkëshortes së tij me një person tjetër.
Por nga ana tjetër bashkëshortja e avokatit, e cila është dhe zv kryetare e Dhomës së Avokatisë në Lezhë, Shaqe Marinaj pretendon se janë ofenduar dhe dhunuar nga efektivi i policisë Myrteza Mehmeti, për të cilin ka bërë padi këtë të mërkure tek Shërbimi Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit./Bl.Ba/Fjala.al