(Analizë për librin e Thoma Lolit e Miço Danos “Urtia e zjarrit”, Botimet Barleti, Tiranë, 2019)
“Ku ka humor dhe satirë atje lulëzon inteligjenca, zgjuarsia” Ndaj krahina e Andon Zako Çajupit është nё aradhën e parë të krahinave të kombit edhe në këtë fushë.”
Prof. Kristaq F. Shabani
Nga Fatmir Minguli
Sapo hap librin e ri të dy autorëve zagoriotë, Thoma Loli dhe Miço Dano, do të lexosh një përkushtim të tyre për këtë libër: Këtë libër ua kushtojmë njerëzve të mençur, prej të cilëve përftojmë kulturimin, arsimin, si dhe gjithë krijuesve të brezave, të cilët u përkushtuan në grumbullimin dhe transmetimin e thesarit kulturor, mençuror, traditave, zakoneve dhe dokeve, për të cilin jemi krenarë. Ia kushtojmë krahinës sonë, Zagorisë, vendit të buronjave edhe të këtij fondi të madh.”
Eshtë pjesa e dytë e një anatologjie të fjalës së mençur e strukturuar me thënie filozofike, fjalë të urta, epigrame, proverba, aforizma, paradokse, humor. Prof. Kristaq Shabani në parathënien e tij e quan këtë libër “një “kopsht” etiko-kulturor, i cili duhet mbajtur gjithmonë në kontakt” e, për më tepër, thekson ai ky libër është një antologji e fjalës së mençur, gjithëgjinish, buronjë e fondit kulturor.
Të dy autorët e antologjisë janë zagoriotë, njeri lindur në Konckë e tjetri në Sheper, e ajo që kam dashur ta shkruaj me kohë është fakti i njohur që kjo krahinë është plot poetë popullorë dhe mjafton të zësh në gojë Zagorinë dhe ke përmendur të madhin Andon Zako Çajupi.
Por nuk është fjala thjesht për poetë. Në këtë libër janë ndërthurur me një korrektësi për t’u pasur zili gjashtë kapituj ku secili kapitull në mënyrë të rrjedhshme dhe të ëmbël ia lë vendin kapitullit pasardhës. Kështu, lexuesi nga kapitulli i parë dhe i dytë, përkatësisht “Thënie filozofike” dhe “Urtësia e fjalës” kalon te kapitulli i tretë ku autorët kanë përmbledhur karakteristika, ngjyrime karaktere në forma të poezisë, duke u bazuar në tabanin popullor jo vetëm të krahinës së tyre. Ngjitja e vlerave të këtij libri vjen në formën e shkallëzimit, nga më e thjeshta tek e komplikuara por dhe më e rëndësishmja.
Kapitulli i katërt me epigrama, proverba, urtësi, aforizma dhe paradokse është një shembull i veçantë që tregon se si autorët kanë ditur të kombinojnë kaq shumë forma të përdorura në letërsinë tonë, si në atë popullore dhe në atë artistike. Përshtypje të bën pjesa e paradokseve, ku e kundërta e fenomenit shpjegon më bukur vetë fenomenin. Ja një shembull prej tyre:
“Këshillë politikanëve të rinj:” përbuzja nga të gjithë, ju siguron lavdinë.”

Kapitulli i pestë dhe i gjashtë është tabani popullor i kësaj antologjie, ku shpërthen forca e talentit dhe humorit jo vetëm zagoriot, ku lexuesi do të gjejë pjesë të mrekullueshme nga gurra popullore e që transmetohen me art nga autorët Thoma Loli dhe Miço Dano. Këta dy kapituj janë qershia mbi tortë e vendosur në këtë libër dhe që zënë gjysmën e tij. Krahas shumë autorëve të mëdhenj botërorë të cilët japin thënie të mençura, né librin “Urtia e zjarrit” gjejmë Sami Frashërin, Jeronim de Radën, Nasho Jorgaqin, Kristaq Shabanin, Aleksandra Shabanin etj.
Kapitulli i gjashtë që përfshin shumë poezi të humorit dhe satirës kushtuar personazheve të sotme të ditëve tona. Me një stil ekspresiv, lakonik dallohen poezitë me personazhe popullore, si “sevja, kripa e humorit në Sheper”,”Lakrori për të lidhura”, “Se të dy me Çomen, shtatë u rreh sahati”, etj. Por edhe proza e mbrujtur me artin popullor nuk mbete mbrapa poezive që i kushtohen kësaj zone të begatë që ka nxjerrë, e vazhdon të nxjerrë poetë e njerëz të mençur.
Janë të dy autorët Thoma Loli dhe Miço Dano pjesë e kësaj treve që nuk reshtin sé shkruari e që u dhurojnë shqiptarëve këtë libër të mrekullueshëm ku lexuesi gjen veten e tij, aq shumë flitet për njeriun shqiptar, aq shumë flitet për karakteret e tyre. Kjo antologji mund të quhet dhe një album portretesh shqiptarësh që e duan mëmëdheun.
Ja një pjesë nga poezia ‘Nostalgji për vendlindjen’ e cila merr detyrën e epilogut të të gjithë antologjisë:
Vendlindja mbetet e shenjtë plot kujtime vegjëlia kur kthejmë kokën nga pas ah, s’ka ç’i bën pleqëria. Dhe më tej: Nga njerëzit më të dëgjuar që kanë dhënë për Shqipërinë Çajupi – Ilo Dilo. U shkrinë për Shqipërinë.
DURRËS
2020