“Të ruhet marrëveshja e 5 qershorit dhe të përfundojë Reforma në Drejtësi”
Nga Fernada Cenko
Paralemnti Europian ka bërë thirrje për plotësimin e kërkesave që kjo e fundit i ka lënë Shqipërisë. Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian debatoi raportin mbi Shqipërinë, ku disa deputetë mbështetën hapjen e bisedimeve ndërsa kritikuan qeverinë për median, mjedisin dhe të drejtat e njeriut.
Projektraporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë është përgatitur nga raporterja Isabel Santos, politikane socialiste nga Portugalia. Projektraporti përgëzon Shqipërinë për disa arritje, por vlerëson se lufta ndaj krimit të organizuar është në nivel të pamjaftueshëm ndërsa kërkoi që ekstradimi i turkut Harun Çelik nga policia shqiptare në rrethana të paqarta të hetohet si një shkelje e mundshme e të drejtës për azil. Raporti dënon gjithashtu klimën e frikës, fushatat denigruese ndaj gazetarëve dhe shpreh “shqetësime të rënda” mbi nismat ligjore të qeverisë për ligjin e medias. Draftraporti i kërkon qeverisë të vendosë si prioritare përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve si rruga e vetme për ndalimin e hemoragjisë së emigrimit ndërsa në tërësi, mbështet mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare për bisedimet për anëtarësim.
Raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos prezantoi draft-raportin për Shqipërinë duke folur lidhur me aktualitetin e vendit tonë. Sipas saj, të gjithë janë të fokusuar tek reformat, duke bërë thirrje për plotësimin e kërkesave të Parlamentit Europian në mënyrë që të sigurohet çelja e negociatave. Ajo është shprehur edhe për marrëveshjen për Refomën Zgjedhore, duke kërkuar që ajo të respektohet nga palët politike.
“Patjetër që jemi përqendruar tek reformat. Në fakt nuk ka ndryshime thelbësore me të tjerat, pikëpamjet tona s’kanë ndryshuar me ato që kemi thënë më parë. Në draft-raportin tim, kam ndjekur edhe pikëpamjet e KE. Pavarësisht kushteve të pandemisë, Shqipëria ka punuar shumë për të plotësuar kushtet. U bë një marrëveshje e 5 qershorit që duhet të ruhet, në të mirë të vendit, për të pasur sa më shumë përfitime dhe vetë Shqipërinë. Dëshira e tyre për t’u bërë pjesë e BE është e madhe. Jam tashmë e interesuar çfarë do thonë kolegët për Shqipërinë,”-tha Santos.
Sipas raportueses edhe pse në këtë kohë pandemie nuk kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vendin që përfaqësojnë, ajo tha se do të vazhdojë punën me me ambasadorin Soreca.
“Nuk kemi patur mundësi të kemi lidhje të drejtpërdrejtë me vendet që përfaqësojmë. Do e bëjmë këtë pasi të kalojmë këtë vështirësi. Do vazhdojmë punën me delegacionin e Shqipërisë dhe BE, me ambasadorin Soreca. Dua të falënderoj ata që kanë punuar ngushtë me stafin tim që të prezantoj këtë draft-raport në kohën e duhur. Faleminderit për informacionin. Është draft fillestar. Sikur ndodh ka mundësi të ndryshohet sërish, do ketë disa ndryshime. Për shkak të disa kufizimeve s’kam pasur mundësi të sjell të gjitha faktet. Ky tekst do jetë më substancial në vazhdim”, tha Santos.
Kërkesat
Në lidhje me kërkesat që KE ka bërë për Shqipërinë, Santos tha se duhet të plotësohen duke nënvizuar ato edhe në mënyrë specifike.
“Kërkesat që ka bërë KE duhet të plotësohen. Kam edhe shqetësime që i kam prezantuar në raport. Jam e shqetësuar për shoqërinë civile, pjesëmarrjen e saj në proceset politike. Duhet të përfshihet. Të vijojë reforma kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të përfundohet Reforma në Drejtësi. Shumë gjëra për të punuar. Të gjitha forcat politike duhet të përfshihen në normalizimin e jetës politike në vend”, tha Santos ku ndër të tjera nëvizoi se “E ardhmja e vendit, popullsi e re dhe e talentuar. Të krijohen kushtet që brezi i ri të qëndrojë. Ka shumë nga ata që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar, apo janë larguar. Të krijohen mundësitë që ata të rikthehen. Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet që ne i kemi vendosur”.
Eurodeputeti Lega: Duhet të bëni më shumë kundër krimit dhe korrupsionit
Eurodeputeti dhe raporteri për Shqipërinë në PE, David Lega, tha në Parlamentin Evropian se Shqipëria ka bërë progres për integrim, por nuk i ka kursyer kritikat. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Shqipëria duhet që të bëjë më shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Shqipëria ka bërë progres, por patjetër që shqetësimi jonë është që të përmbushen të gjitha kushtet para hapjes së negociatave. Duhet të vazhdohet më tej kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet bërë më shumë në këtë fushë. Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE, populli shqiptar meriton një progres të qëndrueshëm. Shpresoj shumë që të vazhdoj të bashkëpunoj me raportuesen për Shqipërinë për të vazhduar rrugën drejt BE-së”, u shpreh Lega.
arkiva.fjala.al/