Ka filluar dita e 4 e protestës për vrasjen e 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë. Grupi i protestuesve që ka mbërritur është i përbërë kryesisht nga të rinj dhe të mitur. Mësohet se efektivë të Policisë së Shtetit kanë shoqëruar disa të rinj, vetëm një orë pas fillimit të protestës.
Protestuesit kanë marshuar fillimisht në drejtim të kryeministrisë dhe pasi kanë hedhur kapsolle aty janë drejtuar për nga Drejtoria e Policisë Tiranë, por janë kthyer pas nga efektivët me gaz lotsjellës.
Protesta këtë të shtunë ka nisur pas orës 18:00, dhe forcat e policisë ndodhen në terren dhe janë parapërgatitur për atë se çfarë do të ndodhë më pas.
Kujtojmë se në 3 ditët e para të protestës ka pasur tensione dhe dhunë nga ana e protestuesve të cilët kanë sulmuar institucionet, dhe kanë shkatërruar semaforë, tabela, dhe gjithçka çfarë kanë gjetur në kryeqytet.
Protestat janë zhvilluar dhe në disa qarqe të vendit, në disa prej tyre të qeta e në disa me tensione dhe shkatërrime. Një prej tyre ka qenë edhe ajo e Shkodrës ditën e sotme.
Kujtojmë se përgjatë 3 ditëve protestuesit, para Ministrisë së Brendshme kanë hedhur gurë, flakadanë dhe disa zbukurime të vendosura në qendër për festat e fundvitit ndaj efektivëve të policisë.
Për shumë orë, ata nuk kanë kursyer as koshat e mbeturinave, stolat, tabela të qarkullimit rrugor dhe shumë sende të tjera duke i dëmtuar. Edhe stacionet e autobusëve e semaforët u dëmtuan rëndë.