Drejt fundit çështja Çinari, ka përfunduar gjyqi në CAS dhe Partizani ka dalë me një njoftim. Partizani kishte hapur një proces gjyqësor në CAS kundër NK Istras, FIFA-s, Vllaznisë dhe Erald Çinarit, për shkak se FIFA kishte vendosur t’u mbyllte merkaton dhe i kishte gjobitur me 83 mijë euro (gjobë që duhet të paguhet së bashku me futbollistin), pasi shkodrani kishte firmosur dy kontrata.
Gjyqi është zhvilluar të martën nëpërmjet platformave të Internetit dhe Partizani ka dalë me njoftim dhe bën me dije se vendimi do të publikohet brenda muajit dhjetor: “Pranë KAS të Lozanës është zhvilluar sot online, si pasojë e situatës COVID 19, seanca e programuar gjyqësore për çështjen Erald Çinari, – thuhet në njoftim. – Në komunikimin me panelin e KAS palët kanë paraqitur të gjitha pretendimet e tyre, si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në këtë proces.”
“FK Partizani është përfaqësuar në këtë seancë gjyqësore online, nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur Huan de Dios Krespo Peres dhe zyra e avokat Antonio Konte, – vijon klubi i kuq i kryeqytetit. – Ky grup ka punuar intensivisht përgjatë gjithë kësaj periudhe për përgatitjen sa më efikase të mbrojtjes dhe demonstrimit të pafajësisë sonë. Pritet që vendimi nga KAS të merret brenda muajit dhjetor.”