Dy djem të mitur kanë mbetur të plagosur nga pronari i një dyqani në fshatin Helshan, gjatë tentativës për të kryer vjedhje. Për këtë është vënë në pranga pronari i dyqanit ku do të kryhej vjedhja nga dy të miturit, si dhe katër persona nën akuzën për vjedhje.
Policia e Hasit ka njoftuar se për zbardhjen e kësaj ngjarje është zhvilluar operacioni i koduar “Helshani”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e vjedhjes së pronës. “Arrestohen 4 shtetas si autorë të dyshuar të dy vjedhjeve të ndodhura në rrethin e Hasit. Gjithashtu, arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për veprën penale ‘Mbajtja pa leje e municionit luftarak’”, njoftoi policia.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. M., L. M., O. V. dhe E. V., të moshës 15 vjeç, banues në fshatin Peraj, Helshan dhe Krumë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dy vjedhjeve të ndodhura në fshatin Helshan, konkretisht: Më datë 30.01.2021, në fshatin Helshan, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit U. I.
Gjatë tentativës për të vjedhur në këtë dyqan, autorët janë konstatuar nga pronari, shtetasi S. Sh., i cili ka qëlluar me armë gjahu, duke plagosur shtetasit L. M. dhe R. M., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi S. Sh., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi I. M., për veprën penale “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe u sekuestrua një karikator me 27 fishekë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: Automjeti i markës “Volkswagen” i përdorur nga autorët, 4 aparate celulare, një armë gjahu çifte në pronësi të shtetasi S. Sh., si dhe një karikator me 27 fishekë. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.