Lufta me pandeminë, vaksinimi i qytetarëve dhe rimëkëmbja ekonomike po mbizotërojnë fushatën zgjedhore në Kosovë. Pritshmëritë e analistëve politike nga këto zgjedhje janë të vogla.
Nga Bekim Shehu/ DW
Partitë politike në Kosovë po shpalosin tek qytetarët programet e tyre për zgjedhjet e parakohshme më 14 shkurt. Lufta me pandeminë, vaksinimi i qytetarëve në periudhën e afërt, ndonëse në Kosovë akoma nuk ka asnjë vaksinë ndaj COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike po mbizotërojnë fushatën zgjedhore pothuaj të të gjitha subjekteve politike që konkurrojnë në këto zgjedhje. Nuk po mungojnë as akuzat dhe kundër-akuzat mes partive dhe kjo klimë e nxehtë paraelektorale për njohësit e zhvillimeve politike nuk është aspak e mirë.
Klimë e ashpër parazgjedhore
Blerim Burjani analist politik i tha DW-së, se nuk është e mirë klima që po e karakterizon këtë fushatë: “Tendencat e zhvillimit politik të shoqëruar me ashpërsi politike, janë karakteristikë jo e dëshiruar për një shtet të ri demokratik siç është Kosova. Mbledhja e mllefit dhe lufta politike do të dëmtojë interesat e qytetarëve. Kosova nuk po shpëton prej dramacitetit të tepruar politik dhe mbledhjes së emocioneve e shkarkimit të tyre mes vetë partive politike. Pra, kush është shpëtimtari apo kush i keqi po e karakterizojnë këtë fillim fushate zgjedhore”, thotë Blerim Burjani.
Sipas tij, pritshmëritë nga këto zgjedhje janë të vogla, sepse “kemi një klasë politike tash e shumë vite”. “Pritshmëria ime nuk është pozitive edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, për shkak se qeveritë gjithmonë formohen me dy tre partnerë qeverisës dhe secila mbron interesat e veta të përfitimit prej votës së qytetarëve, dhe kurrë nuk kanë arritur të bëjnë harmonizimin e një programi qeverisës me shtylla të forta për ndryshimin e jetës ekonomike, sociale dhe shëndetësore që burojnë nga interesat e gjera të qytetarëve”, thotë Blerim Burjani.
Ekonomia prioritet – pasojat e pandemisë të mëdha
Edhe një analist tjetër politik Arton Demhasaj, i tha DW-së, se nuk ka pritshmëri të mëdha nga qeveria e ardhshme cilado qoftë ajo, por megjithatë ai thotë se prioritetet e qeverisë së ardhshme tashmë dihen: “Eshtë urgjente që qeveria e ardhshme të merret menjëherë me rimëkëmbjen e ekonomike, sepse pasojat e pandemisë janë shumë të mëdha në bizneset kosovare. Çështje tjetër është që qeveria e ardhshme të angazhohet maksimalisht me edukimin dhe shëndetësinë. Çështja tjetër drejtësia dhe sundimi i ligjit ku pritet të ketë një proces të vetingut për gjyqtarë dhe prokurorë është proces po ashtu i pashmangshëm”, thotë Demhasaj.
Dialogu me Serbinë – sfidë për qeverinë e re
Dialogu me Serbinë është sfida tjetër me të cilën do të përballet cilado qeveri, thotë Demhasaj. “Duke marrë parasysh që dy qeveritë e fundit kanë rënë për shkak të dialogut me Serbinë dhe pikërisht çështja me të cilën duhet të merret qeveria e ardhshme është dialogu dhe përmbyllja e tij me një marrëveshje me Serbinë dhe njëherë e përgjithmonë të mbyllet kjo çështje që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare”, thotë Demhasaj. I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajqak, shpalosi planet e tij para përfaqësuesve të shteteve të Evropës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por, detajet nuk i bëri të ditura. Kështu shkroi ai në twitter. “Sot i informova ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe delegatët e rajonit perëndimor të Ballkanit për vitin tim të parë dhe punën e bërë. Gjithashtu, i kam shpalosur planet e mia për javët dhe muajt në vazhdim. Jam shumë i inkurajuar nga mbështetja e fortë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, shkroi Lajqak në Twitter.
Stabiliteti i qeverisë dhe përkrahja – jetik për efektivitetin e dialogut
Analisti Blerim Burjani, e sheh të vështirë dialogun me Serbinë pa një qeveri stabile në Kosovë. “Dialogu me Serbinë nuk mund të zhvillohet pa një qeveri stabile, funksionale dhe me fuqi përkrahëse në Kuvend, pra ky është kusht për të pasur negociata me një rezultat efektiv dhe zbatues të ndonjë marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash duket se Kosova sërish ka nevojë për asistencë ndërkombëtare në krijimin e një qeverie funksionale dhe që nuk bie para se të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë. Duke parë zhvillimet në vend nuk është shumë premtuese se do të ketë një qeveri stabile”, thotë Burjani. Sipas tij, në Kosovë ka subjekte politike që nuk i rezistojnë aspak presionit të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa, ka të tjera që nuk kanë zgjidhje, por vetëm bllokojnë procese. Prandaj në këtë linjë ai thotë se “tash duhet të kërkohet një koalicion kreativ, i përgatitur shumë mirë dhe jashtëzakonisht të jetë aktiv me ide në dialog në mënyrë që të nxirret më e mira për Kosovën.
Gara e kandidatëve
Partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje, tashmë kanë nxjerrë në garë emrat e atyre që synojnë postin e kryeministrit, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj Albin Kurti, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mund të konkurojë në listën zgjedhore për shkak që KQZ-ja nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin. LDK ka në garë për kryeministër kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. Kandidati i PDK-së për kryeministër është Enver Hoxhaj, i cili tashmë e drejton partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, që po përballet në Gjykatën Speciale me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, iu bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Haradinaj. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet të propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në seancë plenare e 2/3 të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në tre raunde, atëherë vendi sërish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Letra e Presidentit
Biden inkurajon Vuçiçin për njohjen e Kosovës
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin të palëkundura në qëllimin për të mbështetur integrimin evropian të Serbisë, mirëpo ka kërkuar reforma dhe arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën e cila përfshin njohjen e ndërsjellë. “Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në një letër të cilën presidenti Biden i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë që shënohet me 15 shkurt. Letra është publikuar në faqen zyrtare të presidencës së Serbisë.
Çfarë ka thënë Vuçiç për kërkesën amerikane?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë (15 shkurt) është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”. “Kam pranuar urimin, e falenderoj. Sa i përket njohjes, ajo nuk përmendet në asnjë dokument. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj në lidhje me të dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”, tha Vuçiç, të dielën, gjatë një vizite në një kazermë të ushtrisë serbe në Pançevë. Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Serbia i quan bisedime teknike dhe refuzon të diskutohet për njohje derisa Kosova insiston që në një marrëveshje të mundshme të përfshihet edhe njohja e ndërsjellë.
Çfarë mendojnë në Kosovë dhe Serbi për dialogun?
Presidenti serb, Vuçiç dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti takimin e fundit e kanë pasur në korrik të vitit 2020. BE-ja, si ndërmjetësuese e këtij procesi, ka thënë se raunde të reja të bisedimeve nuk do të ketë, deri pasi në Kosovë të dalin institucionet e reja nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt. Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell. Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.
Burimi: evropaelire
Ceremonia
FSK-së dhe trupat amerikane në një mision paqeruajtës
Në qytetin Xhonston të shtetit të Ajovas në SHBA është mbajtura ceremonia e organizuar me rastin e dërgimit të përbashkët të trupave nga Forca e Sigurisë Kosovës dhe Garda Kombëtare e Ajovas në mision paqeruajtës. Në një adresim përmes videos, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, tha se ky është një moment historik për vendin. Kim Reynolds guvernatore e Ajovas, vlerësoi përkushtimin e këtyre forcave për lirinë, duke i falenderuar për sakrificën dhe shërbimin. Më 6 janar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se për dërgimin e misionit paqëruajtës në shqyrtim janë dy vende.
Me 5 janar, Kuvendi i Kosovës pati votuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës. Kurse, më 31 dhjetor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës pati miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit. FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit. Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.
Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri. Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë 10-të vjet. Aktualisht, FSK ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervistë.