Pronarit të një salloni automjetesh dhe bashkëshortes së tij në Turqi i është caktuar një eskortë policie pas përpjekjes së një ish punonjësi për t’i infektuar të dy qëllimisht me Covid 19.
Ai kishte mundur të siguronte virusin nga një i sëmurë. Vetë pronari i autosallonit, Ibrahim Unverdi, denoncoi ngjarjen në polici duke thënë se e kishte pushuar nga puna asistentin e tij pak kohë më parë sepse e kishte kapur në flagrancë duke vjedhur.
Ai specifikoi se pasi kishte shitur një automjet për 30 mijë dollarë, ia kishte dhënë paratë asistentit për t’i vendosur në kasafortën e kompanisë, por ky i fundit ishte zhdukur bashkë me shumën. Pasi pronari e gjeti, ai i tha se i kishte përdorur paratë për të shlyer disa borxhe.
Më pas një tjetër nëpunës i tha pronarit të kompanisë se ish kolegu i tij kishte blerë një sasi sekrecionesh nga një i infektuar me covid për 70 dollarë dhe e kishte hedhur në çajin që iu shërbye pronarit. Ky i fundit duke folur në media u shpreh se kjo është mënyra më e çuditshme për të varrë dikë. Policia ende nuk ka mundur të ndalojë autorin e këtij gjesti ndërsa ai i premtoi me një mesazh ish pronarit të tij: Nuk arrita të të vras me virusin, por herën tjetër nuk do të dështoj