Qytetarët e Kosovës zgjedhin sot qeverinë e re. Thuajse të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur që prej orës 7:00, duke bërë disa përjashtime. Gazetarja Marsela Karapanço në një lidhje live për ‘Neës24’ solli një tablo të situatës nga shkolla 9-vjeçare ‘Naim Frashëri’, e cila paraqitet e qetë.
Gazetarja tha se qytetarët në këtë qendër votimi kanë nisur të votojnë, duke respektuar edhe masat anti-covid. Këto qendra votimi do të jenë të hapura deri në 19:00 për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tetë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime. Për krijimin e qeverisë së re duhen 61 mandate. Ndër të tjera gazetarja tha se temperaturat në Kosovë janë të ulëta, ndërkohë që në Prishtinë ka rënë sasi e madhe bore, ndërkohë që termometri shënon -13 gradë celsius.