Opozita bashkohet në një koalicion të madh. Lulzim Basha fut në listat e PD, të gjitha partitë e vogla aleate me përjashtim të LSI. Kjo e fundit garon e vetme, përveçse në Kukës e Dibër. Surpriza është Bamir Topi. Partia e ish-presidentit hyn në gjirin e PD për të garuar në 25 prill 2021.
Nga Fernada Cenko
Opozita e Bashkuar tashmë është një. Të gjitha partitë do të garojnë nën siglën e Partisë Demokratike, ku secilës parti kryesore do i jepet një deputet fitues, kjo referuar kalkulimeve të bëra brenda grupit opozitar. Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë e vetme, përveçse në qarkun e Dibrës dhe të Kukësit. Në këto dy qarqe ajo do të jetë në listën e Partisë Demokratike. Nën siglën “Alenaca për Ndryshim” opozita e bashkuar do të jetë bashkë në zgjdhjet e 25 prillit 2021. Duket sikur jo rastësisht është zgjdhur “Aleanca për Ndryshim“. Të dyja këto fjalë i ka përdorur edhe ish Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në zgjdhjet e mëparshme elektorale.
Dje, më 24 shkurt, kur ishte edhe afati i fundit për depozitimin e kërkesës për regjistrim të partive dhe koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Basha mblodhi aleatët e tij me të cilët firmosi edhe koalicionin. Një lëvizje që nuk pritej ishte rikthimi i Bamir Topit në familjen tradicionale. Fryma e Re Demokratike e themeluar nga ish-Presidenti Bamir Topi, njëherazi një nga figurat kryesore të PD në kohën kur drejtohej nga Berisha, kësaj here do të jetë në listën e PD. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte i pari që firmosi me koalicionin me Partinë Demokratike, teksa në fjalën e tij për mediat, deklaroi se: “Shqipëria fiton më 25 prill!”. Ndërsa i dyti ka firmosur kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Më pas të gjithë të tjerët. Kryedemokrati Basha ka mbyllur marrëveshje me të gjithë aleatët e tij, PBDNJ Vangjel Dule, Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, Partia Republikane e Fatmir Mediut, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Agrare e Agron Dukës dhe Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar e Dashamir Shehut.
Ditën e martë, mbylli gjithashtu marrëveshjen me Artur Roshin, drejtuesin e Partisë së Ballit Kombëtar që është edhe pjesë e Opozitës Parlamentare. Mbrëmjen e së martës, Basha priti në një takim në selinë blu kryetaren e Lëvizjes Socialist për Integrim, Monika Kryemadhi dhe ranë dakort që do të futeshin me lista të ndara në zgjedhjet e 25 prillit. Vetëm në qarkun e Dibrës dhe të Kukësit, PD dhe LSI garojnë me një listë të përbashkët. Në qarqet e tjera, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike do garojnë me lista të ndara. Partia Socialiste ka bërë të qartë, përmes kryetarit Edi Rama se nuk do të ketë asnjë aleancë politike për zgjedhjet e 25 prillit dhe PS do të garojë e vetme. Në këto zgjedhje do të kërkojnë votën e qytetarëve për t’i përfaqësuar në parlament 40 subjekte zgjedhore nga ku 35 janë parti, ndërsa 5 të tjerë janë kandidatë të pavarur. Shqiptarët do të zgjedhin parlamentin e ri me 140 deputetë, ku shumica që kërkohet për krijimin e qeverisë së re është 71 mandate deputetësh.