TikTok ka edhe një hapësirë për shqetësime fizike më pak të zakonta si “një ballë shumë i madh”. Për shembull, një grua tregon se si konturon vijën e flokëve me bojë dhe llak për t’i dhënë ngjyrë.
Sidoqoftë, kohët e fundit, në këtë hapësirë, janë bërë virale videot e modeles Camilla Coleman, 26-vjeç, e cila iu nënshtrua një operacioni për reduktimin/zvogëlimin e ballit.
“Asnjëherë s’jam ndjerë mirë me madhësinë e ballit në krahasim me fytyrën time. Mendoja gjithnjë se ishte shumë i madh për mua dhe nëse s’kisha baluket, ndihesha si tullace”, shprehet ajo për BuzzFeed.
Pas viteve hulumtimi të procedurave të ndryshme kozmetike, ajo më në fund vendosi për operacionin e zvogëlimit të ballit – të cilit iu nënshtrua në fund të shkurtit.
Operacioni i Camilla-s u bë nën anestezi të përgjithshme. Kirurgu përfundoi operimin duke e shkurtuar me 3 centimetra ballin e 26-vjeçares.
“Ata bëjnë një prerje pikërisht në vijën tuaj të flokëve, dhe pastaj duhet të ngrenë skalpin dhe se sa larg mund ta lëvizin, varet nga elasticiteti i lëkurës. Bëjnë një prerje tjetër ku shohin se sa poshtë mund të tërheqin skalpin dhe më pas, presin pjesën e mesme dhe e bashkojnë atë përsëri”, shpjegon Coleman.
