Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, nuk mori mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por për këtë ka menduar bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, duke blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët kanë favorizuar Haradinaj Stubllën. Gazeta Insajderi ka siguruar një video-incizim i cili zbulon përfshirjen e bashkëshortit të kryediplomates kosovare në një skandal të madh të manipulimit të votave.
Arbër Krasniqi, një nga të përfshirët në videoincizim, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëvshje me Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro, por ata kanë marrë vetëm katër mijë. Krasniqi i ka rrëfyer familjarit të njërës prej kandidatëve të AAK-së, të dëmtuar nga kjo vjedhje. I infiltruari në grup i cili e ka incizuar bisedën ka ofruar para më shumë se sa Stublla, për të zbuluar të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.
Kësisoj, paratë dhe përfshirja e Dardan Stubllës kanë qenë faktori kyç që Meliza Haradinaj-Stublla figuron në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri të AAK-së në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).
“Unë aty jam vet i treti. Unë si numërues aty, edhe nja dy i kena mrena aty. IT janë ata, me kompjuter në sistem”, dëshmon Arbër Krasniqi, i prezantuar si Arigon Beka, 24-vjeç, nga Podujeva. Krasniqi, megjithatë rrëfen se Stublla s’i doli “njeri i fjalës”. Para se të konfirmojë se është takuar me bashkëshortin e Haradinaj-Stubllës në një restorant afër selisë së AAK-së në Prishtinë, thotë se Dardan Stublla i ka borxh 2,000 euro.
“Këta u patën marr vesh qysh të kallëzova, 600 vota – 6,000 euro. 4,000 mijë i kanë jep, 2,000 janë mbet borxh. Kanë bo fjalë për qito 2,000 në fund”, shpreh shqetësimin komisioneri i AAK-së.
“Tash, për qato dy mijë euro, u nal. Dështuam qaty. Qaty dështuam. Bash qysh po thu ti: ‘Jo i pari, jo pse, kur, tek?’”, rrëfen ai mosmarrëveshjet që thotë se ka me Stubllën.
Deri në mesnatën e së martës, Meliza Haradinaj-Stublla ndodhej jashtë tetëshes së kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputetë, të cilët do të plotësonin tetë mandatet e fituara të partisë në legjislaturën e ardhshme. Bazuar në regjistrin e Formularëve të Rezultateve të Kandidatëve, në orën 00:46 të datës 3 mars, ministrja në largim e Punëve të Jashtme numëronte rreth 60 vota më pak sesa, kandidatja tjetër e AAK-së.
Gjatë numërimit të votave nga diaspora në Qendrën e Numërimit të Rezultateve për kandidatët, brenda ditës së martë Haradinaj-Stublla do të ngrihej me vota mbi kandidatën tjetër. Do të siguronte numrat e mjaftueshëm për t’u renditur kandidatja e tretë grua më e votuar në listën e AAK-së. Përmbysja e rezultatit është bërë me direktivat e bashkëshortit të Haradinaj-Stubllës, rrëfen Arbër Krasniqi.
“Ma shumë të japë. Veç kryje punën, ma shumë ti. Burrash po të thom qit punë me ba”, i thotë personi i dëmtuar, Krasniqit, duke i premtuar para në mënyrë që të sigurojë dëshmi për ta dërguar rastin në Prokurori bashkë me të gjitha provat e siguruara. Ai tregon se do të bëjë gjithçka që të sjell drejtësi, për çka ai e ka shpjeguar si manipulim të madh të votave në dëmin e tij.“Arigon, ngom diçka! Veç mirë, ngom me vëmendje diçka; këqyre, faktikisht çka ke ba ti deri sot, nëse dikujna naj herë në jetë ia ke q* nanen, ma ke q* mu. Më ke shkatërru, se kur ke ba ti knej, na ke dëmtu knej”, thotë me mllef personi i dëmtuar.
Në përgjimin e komisionerëve të AAK-së përmendet edhe emri i Florentina Gjergjajt, kandidatja e AAK-së për deputete, nga Gjakova, e cila ka kontestuar zyrtarisht votat e dyshimta të Meliza Haradinaj-Stubllës. Gjergjaj, e cila pretendon se i janë vjedhur votat, ka deponuar të premten ankesë në PZAP me kërkesë për rinumërimin e votave të saj, Haradinaj-Stubllës dhe kandidates për të cilën kërkojnë vota nga Arigoni dy aketrët e përgjimit.
Sipas saj, të gjithë kandidatët tjerë të AAK-së kanë patur ndryshime të vogla në shifra votash, por jo Meliza Haradinaj-Stublla. Ankesa në PZAP e kandidates nga Gjakova pretendon se ministrja e Punëve të Jashtme është e vetmja që është ngritur dhe është pretenduar se ka fituar 1/3-n e votave me kusht, të cilat i kanë takuar AAK-së. Në një kundërpërgjigje në Facebook, Haradinaj-Stublla paralajmëroi padi ndaj Florentina Gjergjajt. I vlerësoi “shpifje dhe fyerje” pretendimet e bashkë-partiakes së saj.
Përkthyer në mandate në kuvend, partia e Ramush Haradinaj do të përfaqësohet nga tetë ligjvënës. Në përgjim zbulohet po ashtu se komisionerët e QNR-së, kanë manipuluar vota edhe në të kaluarën. Përmendet Shkumbin Demalijaj, të cilit në zgjedhjet e kaluara ia kanë shtuar votat dhe e kanë bërë deputet.