Që nga e hëna e tretë e muajit mars të vitit 2020, Blerta Zogiani Gjonbalaj nga Prishtina, është duke punuar nga shtëpia.
Si pasojë e përhapjes së Coronavirusit, kompania ku ajo punon, mori vendim që të gjithë të largohen nga zyra dhe të punojnë në shtëpitë e tyre.
Kjo 30-vjeçare, e cila jeton në Prishtinë bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj, ka krijuar një zyrë pune në dhomën e pritjes.
Ajo tregon se sa e vështirë ka qenë që të përballen me këtë situatë për gati një vit.
“Në fillim menduam që për shumë shkurt jemi duke dalë [të punojmë nga shtëpia], askush nuk e paramendoi që do të jetë kaq gjatë. Ka pasur shumë situata që i kemi kaluar me shumë stres, ka pasur situata që përnjëmend të ka ardhur të qash sepse nuk e ke ditur më se çfarë të bësh përtej asaj. Na ishte bërë një ngarkesë shumë e madhe, nuk e dinim se çka është të përballesh me COVID-19”, thotë ajo.
Përveç lodhjes dhe stresit nga izolimi, frika nga infektimi me Coronavirus ishte e pranishme brenda familjes katëranëtarëshe.
Në muajin korrik të vitit 2020, kur në Kosovë ishte shtuar numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19, nuk shpëtuan pa u infektuar as Blerta dhe burri i saj.
“Burri e ka punën prej shtëpisë, e ka më pa orar, e ka punën më shumë nga kjo pjesa kreative, është animator edhe ka pasur punë kohë pa kohë, e unë është dashur të jem shumë mbështetëse në këtë rast edhe ta kuptoj tepër shumë, se çdoherë kur ai nuk ka qenë, është dashur të jem ajo tjetra që e merr primatin për të vazhduar për t’u kujdesur për fëmijë e krejt dhe përgjatë asaj të kujdesem edhe për punën time”, thotë ajo.