Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përkushtuar te Covid-19, botën e shqetëson edhe një tjetër problem, kequshqyerja. Sipas profesionistëve të shëndetit, kequshqyerja vijon të jetë një nga problemet kryesore të njerëzimit dhe këtë po e vuan çdo brez.
Sipas raportit të ‘Global Nutrition’, Shqipëria ka probleme të mëdha me fëmijët nën 5-vjeç përsa i përket ushqyerjes.
E ftuar këtë të martë në emisionin ‘Wake up’, nutricionistja Albana Daka ngriti shqetësimin se fëmijët në vendin tonë po ushqehen keq.
“Kemi problemin e mbiushqyerjes në zonat urbane dhe nënushqyerjes në zonat rurale. Padyshim ne sot që flasim kemi përzierjen e vakteve, por kryesisht kemi shportën ushqimore të fëmijëve me ato që ne i quajmë ushqime mbeturina, të pasura me sheqerna dhe kalori.
Imuniteti nuk vihet për një vit, siç bënë njerëzit gjatë këtij viti pandemik. Por janë shtuar në shportën ushqimore patatinat dhe pijet e gatshme.
Prindërit duhet të kujdesen për regjimin ushqimor të fëmijëve. Studimi tregon se fëmijët 0-5 vjeç rreth 19 për qind janë të shkurtër për moshën, ndërsa 11 për qind shumë të shkurtër
Duhet të fusim një kulturë ushqimore familjare. Vijnë nëna që duan të bien në peshë dhe ndërkohë kanë në krah një fëmijë që ha patatina. Kemi anemi të fëmijët nga kjo ushqyerje pa elementët që fëmijëve u duhen.
Në zonat rurale kemi ushqime të varfra në ato elementë që çojnë më vonë në anemi dhe mungesa e hekurit”, theksoi Daka.
arkiva.fjala.al/