Zbardhet e plotë dinamika e përplasjes me armë mes dy grupeve të rinj në zonën e “Transballkanikes”, ku mbeti i vrarë me tre plumba, Taulant Manaj alias Beqiri.
Burimet policore thanë se konflikti mes të rinjve në Vlorë, nisi për një borxh të pashlyer lidhur me shitjen e një automjeti tip Benz-Mercedez me vlerë 35 mijë euro. Si pasojë e këtij konflikti, grupi i Taulant Manaj, i cili mësohet se u kishte marë makinën njërit prej të rinjve, refuzonte ti jepte lekët. Në debat e sipër, mësohet se Taulant Manaj së bashku me shokët e tij, ka shkuar në lokal “Olivium” që ndodhet në “Lungomare” dhe aty ka kërcënuar me jetë tre personat, duke i thënë se “…do ju mbush kokën me plumba…”. Për këtë krim, momentalisht janë shpallur në kërkim, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani nga njëri prej grupeve të përfshira në vrasjen e Manaj. Ndërsa për grupin tjetër që ka qëlluar në drejtim të makinës ku udhëtonin Hansi Jonuzaj, Hajnaj dhe Grabani, rezulton të jetë shpallur në kërkim dy persona të tjerë me inicialet S.Z dhe K.D. Nga verifikimi i kamerave që kanë kryer oficerët e policisë, ka rezultuar se S.Z, mik i Taulant Manaj, ka qëlluar i pari, plot tre herë me pistoletë në drejtim të “Ford Fiesta”. Të shtënat me armë janë kryer nga një automjet tip “Renault Laguna”, ngjyrë e bardhë me portobagazh, në të cilën shofer ishte një shok tjetër i Manaj. Plumbat kanë depërtuar xhamin e pasëm të makinës, prapakolpin dhe një plumb ka shpuar derën e bagazhit në anën e djathtë të targës.
Të tre plumbat e qitura nga një pistoletë kanë përshkuar makinën, ku ndodheshin Hansi Jonuzaj në timon, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani në sediljet e pasagjerit. Sipas dinamikës së ndërtuar nga policia, pas tre të shtënave me armë mbi “Ford-Fiesta”, pikërisht nga ky automjet kanë dalë Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani, dhe të dy janë drejtuar tek Taulant Manaj, që ndodhej i pozicionuar në trotuarin e rrugës “Transballkanike”. Pikërisht në këtë moment njëri prej tyre, ka hapur zjarr me automatik kallashnikov në drejtim të Manaj dhe qitja është kryer nga një distancë shumë e vogël. Në total është qëlluar plot 5 herë por vetëm 3 plumba kanë prekur Taulant Manaj.
Në pamjet filmike që ka sekuestruar policia, rezulton se pas të shtënave me automatik, të dyja palët janë larguar me shpejtësi me qëllim për të mos u kapur nga policia. Dy personat e shpallur në kërkim S.Z dhe K.D, sipas kamerave filmike rezulton të jenë larguar, jo me automjetin “Renault Laguna” nga qëlluan fillimisht, por me një automjet tjetër tip “Audi A3”. Ndërsa në kërkim vijojnë të jetë dhe dy shokët e të arrestuarit Hansi Jonuzaj, Elton Hajnaj dhe Skedjan Grabani.