Ambasadorja e SHBA ka qenë dje në Elbasan ku ka lëshuar deklaratën e fortë se tre emra të përfshirë në listën e deputetëve kanë probleme me ligjin. Diplomatja është treguar e kujdesshme në mos përmendjen e emrave, ndërsa ju tha mediave se i gjejnë lehtësisht në listë.
Nga Fernada Cenko
Ambsadorja amerikane në Tiranë ka paralajmëruar më herët kryetarët e forcave politike që të bëjnë kujdes në hartimin e listave duke mos përfshirë persona që kanë probleme me ligjin, por duket se “diçka” u ka shpëtuar, pasi tre ditë pas dorëzimit në Komisionin Qendror Zgjedhor të listave, ambasadorja ka shprehur pakënaqësi me disa emra të përfshirë. Edhe pse pa përmendur individë dhe pa sigël partie, ajo tha se disa prej emrave do të s’kualifikohen nga kandidimi për zgjedhjet e 25 prillit. Këtë deklaratë diplomatja e SHBA-së e ka lëshuar nga qyteti i Elbasanit. “Janë 3 njerëz që Sekretari i Shtetit të SHBA ka përcaktuar. Nuk kam për të folur emrat e tyre, por mund t’i shikoni dhe të gjeni. Ne e kemi thënë se duhen lista të pastra. Partitë e kanë marrë në konsideratë, pjesa më e madhe e tyre. KQZ ka listën dhe është në dorën e prokurorëve dhe institucioneve që të bëjnë vettingun e kandidatëve. Disa kandidatë mund të skualifkohen. Kjo nuk është se SHBA-të pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë dhe gjithashtu kjo ka të bëjë nëse sekretari i Shtetit ka përcaktuar në bazë të informacioneve se ky person përbën kërcënim për SHBA-të, ka ardhur koha që votuesit shqiptarë të mendojnë nëse kjo do të bënte kërcënim për ta”, deklaroi ambasadorja e SHBA-ve. Diplomatja është ndalur edhe tek vjedhja e votës. Sipas saj, Elbasani ka qenë një problem në blerjen e votës. “Blerja e votës është një problem në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Ata që blejnë votat, ju them se po shkelni ligjin dhe po turpëroni veten”, tha ambasadorja amerikane Yuri Kim. Ajo nënvizoi se SHBA ka qenë e qartë për pritshmëritë për kandidatët duke theksuar se drejtuesit politikë duhet të marrin përgjegjësi për listat. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë të qarta lidhur me pritshmëritë tona për kandidatë të pastër. Është thelbësore që drejtuesit politikë të marrin përgjegjësi, që të sigurojnë që listat e tyre të jenë në përputhje me ligjin shqiptar, të gjitha ato përcaktime të bëra nga SHBA-të, të cilat kur merren si vendime nuk merren lehtësisht. E di se disa persona mund të thonë se ai është i përcaktuar nga ligji i SHBA, por nuk është i dënuar dhe në fakt njerëzit me logjikë të thjeshtë do ta kuptonin që kjo është një evidencë, jo për shkak se mungojnë faktet, por për shkak të boshllëqeve në ligjin shqiptar”, tha diplomatja amerikanë.
Për vendimin e KQZ
Zgjedhjet e 25 prillit dhe blerja e votës kanë qenë në qendër të deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim në Elbasan. Pas qëndrimit të saj për kandidatët dhe thirrjes për drejtuesit politikë dhe qytetarët ajo shprehu kënaqësinë për vendimin e KQZ për të ndaluar celularët në vendet e votimit. “Jam e kënaqur që kam mësuar që KQZ do të ndalojë marrjen e celularëve brenda vendit të votimit. U përket autoriteteve që ta bëjnë më të vështirë shitjen dhe blerjen e votës”, tha ambasadorja e SHBA. Ajo theksoi se pozicioni i SHBA-ve është shumë i qartë dhe bisedat e saj me liderët politikë kanë qenë shumë të hapura, teksa shprehu besim se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, por se nuk duhet të relaksohemi. “Sikurse jeni në dijeni bisedat e mia me udhëheqësit politikë janë shumë të sinqerta, shumë troç, sikurse është në stilin tim. Kam besim që Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk do të thotë që duhet të relaksohemi. Të gjithë kemi një rol për të luajtur, përfshirë dhe mediat”, u shpreh ambasadorja amerikane.