Zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini ka treguar se deri më tani janë 700-800 persona që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.
Ajo tha në Euronews Albania se vendimi i fundit i qeverisë për të nisur negociatat për marrjen e vaksinave ruse dhe kineze vjen për faktin se kërkohet që popullsia të imunizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Sot jemi më 11 mars dhe jemi dy muaj nga nisja e procesit të vaksinimit. Brenda kësaj jave përfundon vaksinimi i të gjithë personelit shëndetësor në nivel kombëtar. Shifra përvijon drejt vlerave 700-800 individë”, tha Tomini.
Ajo foli edhe për infektimin e fëmijëve, ku tha se në vendin tonë janë infektuar 3500 fëmijë, por vetëm 165 prej tyre kanë marrë trajtim në spital.
“Janë raste që nuk kanë shfaqur shenja, por janë zbuluar nga ndjekja e rasteve të familjarëve. Pjesa më e madhe kanë qenë asimptomatike, një pjesë shumë e vogël rreh 165 raste kanë kërkuar trajtim spitalor. Asnjë moshë nuk nënvlerësohet sa i takon shfaqjes së shenjave klinike”, u shpreh Eugena Tomini.