Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka mbajtur sot më 11.03.2021 në Tiranë një konferencë për shtyp, me pjesëmarrjen fizike dhe online të mediave, shoqerisë civile dhe përfaqësive të huaja, lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 25 Prill 2021.
Qëllimi i kësaj konference ishte ndarja e pikëpamjeve të KRIIK në lidhje me situatën aktuale politike dhe institucionale që po shoqëron periudhën parazgjedhore dhe disa shqetësime të ngritura nga opinioni publik në lidhje me garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë.
Në këtë konferencë u diskutuan disa nga çështjet kryesore në të cilat:
1. Integriteti i kandidatëve dhe transparenca zgjedhore, rëndësia që ka për votuesin informimi i plotë mbi figurën e kandidatit, integritetit dhe pacënueshmërisë së saj.
Lidhur me këtë nga KRIIK iu bë thirrje drejtëpërdrejtë të gjithë Kandidatëve të regjistruar si garues në këto zgjedhje që si shenjë e vullnetit të mirë dhe të transparencës ndaj publikut, të deklarojnë vullnetarisht dhe në mënyrë të plotë:
– biografinë e tyre profesionale dhe të angazhimeve të patura;
– gjendjen e tyre financiare;
– eksperiencën e marrëdhënieve me ligjin; dhe
– ofertën elektorale të personalizuar. dhe vullneti i këtyre të fundit për t’u vetëdeklaruar në mënyrë të plotë, duke e rikthyer figurën e tij në qendër të procesit garues.
Në raport me deklarimin e gjendjes financiare, Kandidatët nxiten të bëjnë publikimin paraprakisht të tre dimensioneve financiare:
– asetet financiare që zotërojnë apo ku janë të përfshirë me të afërmit e tyre;
– detyrimet fiskale ose jo që mbartin këto asete, si dhe –
– detyrimet financiare që kanë ndaj të tretëve.
Gjithë sa më sipër konsiderohet një domosdoshmëri në raport me frymën dhe detyrimet kushtetuese e ligjore për të nxitur dhe siguruar integritetin dhe pacënueshmërinë e figurës së parlamentarit të duhur, si përfaqësues i vetëm interesave të qytetarëve.
2. Ndikimi që Covid-19 do të ketë mbi organizmin e procesit zgjedhor, veçanërisht në lidhje me të drejtën e grumbullimit, dhe të drejtën e votës, si një e drejtë themelore, pavarësisht situatës në të cilën ndodhet vendi, për shkak të pandemisë.
KRIIK vë në dukje me shqetësim se pavarësisht se ishte lehtësisht e parashikueshme që zgjedhjet e 25 prillit do të zhvilloheshin në situatë pandemie, partitë politike nuk e bënë këtë çështje në asnjë moment pjesë të diskutimit në Këshillin Politik, për aq sa dihet dhe është bërë publike.
Mungesa e reagimit prej partive politike dhe institucioneve, prej Parlamentit në veçanti, në lidhje me këtë situatë për më shumë se nëntë muaj tregon së paku mungesë të respektit për të drejtën e votës si një e drejtë thelbësore e qytetarit dhe, nga ana tjetër, edhe konsiderimin e procesit zgjedhor thjesht si një proces mekanik votimi për mandatimin e një pushteti politik.
Deklarimi së fundi i Kryeministrit të vendit lidhur me votimin e shtetasve të infektuar me Covid-19 se “do bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë vendet e tjera. Për ata të cilët janë të testuar pozitivë dhe nuk janë negativizuar duhet të qëndrojnë në shtëpi”, është një qasje e paplotë për çështjen në tërësi dhe një deklarim i papranueshëm e në shkelje të të drejtave thelbësore kushtetuese.
Nëse ekziston vullneti politik dhe respekti për të drejtën e votës, mundësitë ekzistojnë ende, për sa kohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk është shpërndarë ende, që të adresohet kjo problematikë me ndërhyrje të momentit të fundit në kuadrin ligjor. Praktika e vendeve të tjera që kanë kryer zgjedhje në periudhë pandemie mund të përdroret si guidë.
3. Mundësitë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e votës dhe vullneti politik nga palët për zgjidhjen e kësaj ccështje, tashmë sipas KRIIK, të vonuar.
Konstatohet se një situatë e tillë për të deleguar një çështje kaq komplekse, në adresimin e së cilës politika shqiptare kishte dështuar tërë këto vite, një institucioni si KQZ-ja me burime dhe kompetenca të kufizuara, tashmë po përvijohet më qartë se ishte thjesht një taktikë politike dhe aspak një qasje konkrete dhe serioze.
Aktualisht, në gjykimin e KRIIK, duhet pranuar se sigurimi i të drejtës së votës për diasporën ështe një proces i pamundur tanimë, duke u shënuar si një përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e partive kryesore politike.
Rregullimi i plotë i kësaj të drejte dhe reformimi i duhur i kuadrit ligjor respektiv duhet të përbëjë një piketat kryesore në procesin reformues të ardhshëm të kuadrit ligjor zgjedhor.
4. Përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore dhe vështirësitë apo mungesat e vullneteve nga ana e institucioneve për të monitoruar dhe ndëshkuar këtë shkelje ligjore, gjatë fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor.
Sipas KRIIK, mund të thuhet se mekanizmi për raportimin e aktiviteteve të institucioneve ka humbur kuptimin e vet dhe se atij i mungon efektiviteti në arritjen e qëllimit të tij, duke u kthyer në një procedurë burokratike formaliste.
Të dy sanksionet e vendosura nga Komisioneri janë rrëzuar prej Komisionit për Apelime dhe Sanksione (KAS), duke e bërë mekanizmin akoma më joefektiv. Evidentohet se KAS, në rastin më të mirë, ka përdorur një të lexuar shumë të ngushtë dhe formalist të legjislacionit.
Ndërkohë evidentohet se sjellja e ofiqarëve të lartë publikë në lidhje me këtë çështje ka qenë jo në linjë me frymën e ligjit, duke përdorur boshllëqet në legjislacion për të anashkaluar zbatimin e duhur të normës dhe frymën e ligjit dhe duke përdorur në këtë mënyrë eventet institucionale për përfitim zgjedhor.
KRIIK, u ka bërë thirrje partive politike por edhe institucioneve përkatëse që të tregojnë gatishmëri dhe konsensus për adresimin e menjëhershëm dhe zgjidhjen e çështjeve dhe problematikave të paraqitura.
Misioni i KRIIK për monitorimin e këtij procesi do të vijojë bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike dhe kuadrin ligjor shqiptar.
Më poshte gjeni Deklaratën e lexuar sot si dhe një foto nga konferenca.
D E K L A R A T Ë
në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për
Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë – 25 prill 2021
Hyrje
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet institucionale dhe politike që afektojnë drejtpërsëdrejt apo indirekt çështjet zgjedhore.
Aktualisht, KRIIK është duke vëzhguar periudhën zgjedhore nëpërmjet një trupe vëzhguesish afatgjatë dhe do të jetë prezent ditën e zgjedhjeve dhe gjatë numërimit të votave me vëzhgues afatshkurtër. Aksioni i Vëzhgimit të KRIIK po realizohet në bashkëpunim me 33 organizata vendase të shpërndara në të gjithë vendin, aktive në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
KRIIK e vlerëson procesin zgjedhor bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike dhe kuadrin ligjor shqiptar.
Konferenca për shtyp organizohet në kuadër të Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të KRIIK për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2021.
Qëllimi i Konferencës për Shtyp është të ndajë me publikun dhe gazetarët shqetësimet mbi disa aspekte kyç të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor deri në këtë moment si dhe t’u bëjë thirrje aktorëve politikë dhe institucionalë të ndërmarrin hapat e nevojshme në mënyrë që këto shqetësime të adresohen në kohën e duhur.
Aksioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve mbështetet financiarisht nga:
– Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar;
– Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë dhe
– Ministria e Punëve të Jashtme e Dukatës së Madhe të Luksemburgut.
Opinionet dhe këndvështrimet e shprehura në këtë Konferencë janë përgjegjësi e KRIIK dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pozicionin zyrtar apo opinionin e donatorëve.
* * *
Pavarësisht se Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se fushata zgjedhore fillon 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve dhe përfundon një ditë përpara tyre, partitë politike janë duke zhvilluar aktivitete me synim qartazi elektoral: bëjnë thirrje që zgjedhësit të votojnë për ta, prezantojnë kandidatë, paraqesin pikat e programnit të tyre qeverisës, etj. Pra de facto, fushata zgjedhor ka nisur, duke u zhvilluar në kundërshtim me kuadrin ligjor.
Fushata zgjedhore e zhvilluar përpara afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj bën që këto aktivitete të mos u nënshtrohen rregullave të fushatës, të cilat garantojnë barazinë e mundësive për të gjithë konkurrentët elektoralë si mbulim mediatik i barabartë, kufizime dhe detyrime për të raportuar financimin, etj.
Çështjet për të cilat kërkohet të ri-sillen në vëmendje janë:
1. Integriteti i kandidatëve dhe transparenca zgjedhore;
2. Ndikimi që Covid-19 do të ketë mbi organizmin e procesit zgjedhor, veçanërisht në lidhje me të drejtën e grumbullimit dhe të drejtën e votës;
3. Mundësitë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e votës;
4. Përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore;
A. Integriteti i kandidatëve dhe transparenca zgjedhore
Integriteti i kandidatëve është një nga çështjet së cilës i është kushtuar vëmendje maksimale nga partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Përzgjedhja e kandidatëve për Deputet në Kuvendin e Shqipërisë tashmë ka mbaruar, listat janë mbyllur dhe depozituar në KQZ prej partive politike.
Tanimë është rradha e institucioneve, ndaj mbetet thelbësore që KQZ-ja të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, në frymën me të cilën ky ligj është miratuar, duke operuar me skrupolozitet dhe seriozitet maksimal përgjatë procesit të verifikimit të formularëve të vetëdeklarimit të kandidatëve.
Nxiten në këtë kuadër edhe DPGJC, Gjendja gjyqësore dhe Prokuroria për të intensifikuar dhe bashkërenduar në mënyrën më të mirë punën dhe koordinimin me KQZ-në për një proces verifikimi sa më të plotë, të saktë dhe efikas.
Parlamenti i ri, si produkt i frymës së marrëveshjes së 5 qershorit nuk duhet të jetë strehë e individëve që janë subjekt i parashikimeve të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit dhe madje as i atyre që përfaqësojnë interesa të jashtëligjshme.
Figurat e kandidatëve janë pjesa më e rëndësishme e ofertës elektorale që ndërtohet nga partitë politike dhe që e përfaqësojnë partinë apo koalicionin në kërkimin e vullnetit përfaqësues prej qytetarëve.
Duke konsideruar si mjaft me rëndësi kthimin e figurës së kandidatit në qendër të procesit garues, sikundër vlerësohet nga fryma e Kushtetutës,
KRIIK iu drejtohet tashmë drejtëpërdrejtë të gjithë Kandidatëve garues që si shenjë e vullnetit të mirë dhe të transparencës ndaj publikut, të deklarojnë vullnetarisht dhe në mënyrë të plotë:
– biografinë e tyre profesionale dhe të angazhimeve të patura;
– gjendjen e tyre financiare;
– eksperiencën e marrëdhënieve me ligjin; dhe
– ofertën elektorale të personalizuar.
Ky publikim vlen të kryhet, së pari lidhur me domosdoshmërinë që shtrohet për të informuar dhe njohur qytetarët me profilet e plota të kandidatëve që ata do të zgjedhin, por edhe që lidershipet apo partitë propozuese të mbajnë përgjegjësi për ekipin garues të përzgjedhur, si një mjet për reformimin e mekanizmit të brendshëm përgjedhës të vetë partive politike.
Në raport me deklarimin e gjendjes financiare, Kandidatët nxiten të bëjnë publikimin paraprakisht të tre dimensioneve financiare:
– asetet financiare që zotërojnë apo ku janë të përfshirë me të afërmit e tyre;
– detyrimet fiskale ose jo që mbartin këto asete, si dhe –
– detyrimet financiare që kanë ndaj të tretëve.
Gjithë sa më sipër konsiderohet një domosdoshmëri në raport me frymën dhe detyrimet kushtetuese e ligjore për të nxitur dhe siguruar integritetin dhe pacënueshmërinë e figurës së parlamentarit të duhur, si përfaqësues i vetëm interesave të qytetarëve.
Nga ana tjetër, kjo konsiderohet të përbëjë një hap real dhe efektiv për rikthimin e kandidatëve në qendër të garës elektorale dhe për fuqizimin e lidhjes së qytetarit me të mandatuarin.
Ofrimi dhe sigurimi i transparencës është jetike për një demokraci pjesëmarrëse e funksionale. Veçanërisht në periudhën zgjedhore fryma e kërkuar e transparencës merr një trajtë më të gjerë.
Në kundërshti më këtë frymë, sillet në vëmendje se proceset zgjedhore në vend kanë vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e diskutimeve mbi ofertat elektorale dhe mbi profilet e kandidatëve që konkurrojnë. Ato zhvillohen thjesht si procese ku interesi dhe qëllimi primar mbetet se kush nga subjektet ia ka dalë të marrë më shumë vota, duke u shndërruar thelbësisht nga një proces me përballje ofertash elektorale në një proces përplasjeje midis lidershipesh kundërshtare.
KRIIK tërheq vëmendjen dhe iu kërkon partive politike që të shmangin përsëritjen e kësaj përvoje dhe praktike negative të ndjekur deri më tani, duke i dhënë qytetarit shqiptar një fushatë zgjedhore të qetë, etike, me përballje dhe diskutime mbi qasjet vizionare, programet politike dhe profilet e arrira e të pacënuar të kandidatëve të propozuar.
Deklarimet e fundit në media prej mazhorancës e posaçërisht etiketimet e përdorura prej Kryeministrit të vendit, ndaj disa prej kandidatëve kundërshtarë politikë, shkojnë kundër kësaj fryme dhe qasjeje duke përbërë potencialisht fillesa dhe nxitje për retorikë të ashpër joetike, tensionim artificial të toneve të fushatës e rrjedhimisht zhvendosje të fokusit nga platformat dhe programet elektorale të subjekteve garuese.
B. Zhvillimi i procesit zgjedhor në kushtet e pandemisë
Urdhri nr. 633, datë 17.11.2020 i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndalon tubimet dhe mbledhjet partiake si dhe grumbullimet mbi 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura. Ky ndalim u morr në shqyrtim prej Gjykatës Kushtetuese në seancën plenare të datës 02.03.2021, si çështje e kërkuar prej Partisë Republikane. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të bërë publik nga media, Ministria e Shëndetësisë duhet t’a rishikojë vendimin dhe t’a ndryshojë atë brenda datës 15 mars.
Gjithë sa më sipër është i vetmi rregullim ligjor, nëse mund të quhet kështu, që politika dhe institucionet shqiptare kanë ndërmarrë lidhur me zhvillimin e procesit zgjedhor në kushtet e pandemisë.
Pavarësisht se ishte lehtësisht e parashikueshme që zgjedhjet e 25 prillit do të zhvilloheshin në situatë pandemie, partitë politike nuk e bënë këtë çështje në asnjë moment pjesë të diskutimit në Këshillin Politik, për aq sa dihet dhe është bërë publike.
KRIIK e ka ngritur këtë çështje me Letrën e Hapur të 16 qershorit 2020 dhe u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike të marrin në konsideratë këtë mundësi dhe të përgatisin skenarë të mundshëm të administrimit të procesit zgjedhor në situatë pandemie, thirrje e cila është përsëritur në vazhdimësi disa herë.
Mungesa e reagimit prej partive politike dhe institucioneve, prej Parlamentit në veçanti, në lidhje me këtë situatë për më shumë se nëntë muaj tregon së paku mungesë të respektit për të drejtën e votës si një e drejtë thelbësore e qytetarit dhe, nga ana tjetër, edhe konsiderimin e procesit zgjedhor thjesht si një proces mekanik votimi për mandatimin e një pushteti politik.
Deklarimi së fundi i Kryeministrit të vendit z. Edi Rama lidhur me votimin e shtetasve të infektuar me Covid-19 se “do bëjmë të njëjtën gjë që kanë bërë vendet e tjera. Për ata të cilët janë të testuar pozitivë dhe nuk janë negativizuar duhet të qëndrojnë në shtëpi”, është një qasje e paplotë për çështjen në tërësi dhe një deklarim i papranueshëm e në shkelje të të drejtave thelbësore kushtetuese.
Shteti shqiptar ka detyrimin t’u garantojë të gjithë shtetasve të vet të drejtën e votës. Është një e drejtë e pamohueshme dhe e pacënueshme që Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar dhe Kushtetuta e vendit ia njohin shtetasit shqiptar. Kufizimi i saj është i parashikuar në Kushtetutë vetëm kur shtetasi është deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si i paaftë mendërisht, apo kur ai është subjekt i ligjit të dekriminalizimit i dënuar për një nga veprat e rënda penale të parashikuara.
Mosushtrimi i së drejtës së votës në çdo rast tjetër është atribut dhe një e drejtë eskluzive e vullnetit të lirë të qytetarit, dhe si e tillë ajo nuk mund të kufizohet nga asnjë rrethanë. Madje është detyrë e shtetit ta sigurojë këtë të drejtë pavarësisht kostove dhe rrethanave.
Nëse ekziston vullneti politik dhe respekti për të drejtën e votës, mundësitë ekzistojnë ende, për sa kohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk është shpërndarë ende, që të adresohet kjo problematikë me ndërhyrje të momentit të fundit në kuadrin ligjor. Praktika e vendeve të tjera që kanë kryer zgjedhje në periudhë pandemie mund të përdroret si guidë.
Në çdo rast, kufizimi i të drejtës së votës për shtetasit e infektuar me coronavirus ditën e zgjedhjeve apo personat në vetëizolim mund dhe duhet të evitohet.
KRIIK ka sjellë në vëmendje nevojën e një trajtimi të plotë të çështjes dhe rregullimin e saj ligjor, pasi një situatë më e rënduar mund të rrezikojë integritetin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Ndërkohë që ndërmarrja e masave të parregulluar me një kuadër ligjor mund të krijojë alibi për delegjitimimin e procesit, mundësi për t’a deformuar atë, apo, edhe me keq, mundësi për të rikthyer situata të mundshme krizash apo destabiliteti.
Sjellim në vëmendje se të ekspozuar përballë rrezikut të shëndetit personal në një situatë të parregulluar janë të gjithë qytetarët, duke filluar nga ata të angazhuar si komisionerë në qendrat e votimit, komisionet zonale të administrimit zgjedhor, grupet e numërimit, vëzhguesit, përfaqësuaesit e mediave e të gjithë qytetarët e tjerë të përfshirë në proces.
Gjithashtu, gjykohet si domosdoshmëri rregullimi i nevojshëm për sigurimin e transparencës së procesit.
Kufizimi në numra i shtetasve të grumbulluar në një ambient bën të pamundur vëzhgimin e fazave të procesit zgjedhor nëpërmjet kontaktit të drejtëpërdrejtë dhe pamjes direkte në qendrat e votimit prej vëzhguesve të partive politike garuese, prej vëzhguesve të pavarur dhe ata ndërkombëtare dhe prej gazetarëve.
Po ashtu bëhet i pamundur ndjekja dhe vëzhgimi i mbledhjeve të Kolegjit Zgjedhor, seancave pranë gjykatave, si dhe të mbledhjeve të organeve të KQZ-së në rastet kur ata mblidhen ne seancë plenare fizikisht në sallë.
C. Vota e emigrantëve
Këshilli Politik nuk arriti të rregullonte votimin e emigrantëve dhe ngarkoi KQZ-në me organizimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm, duke u mjaftuar me shprehjen e vullnetit se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit duhet të votojnë.
Një situatë e tillë për të deleguar një çështje kaq komplekse, në adresimin e së cilës politika shqiptare kishte dështuar tërë këto vite, një institucioni si KQZ-ja me burime të kufizuara dhe kompetenca të kufizuara, tashmë po përvijohet më qartë se ishte thjesht një taktikë politike dhe aspak një qasje konkrete dhe serioze.
Pasojat e këtij vendimi të pamaturuar mirë dhe mundësia e përballjes me një nismë të dështuar që në fillim, duket se e detyruan KQZ-në që të jetë e kujdesshme në të gjitha hapat e ndërmarrë në lidhje ndërtimin e procesit që do të mundësonte votën e emigrantëve, duke theksuar nevojën e një konsensusi politik që procesi teknik të funksionojë.
Kjo qasje racionale e KQZ-së duhet përshëndetuar pasi, në kushtet e mungesës së vullnetit politik e institucional, aplikimi arbirtrar i rregullave nga ana e KQZ-së dhe përvijimi i mëpastajshëm mund të sillte apo nxiste humbjen e besimit në procesin zgjedhor si i tërë.
Aktualisht, në gjykimin e KRIIK, duhet pranuar se sigurimi i të drejtës së votës për diasporën ështe një proces i pamundur tanimë, duke u shënuar si një përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e partive kryesore politike.
Rregullimi i plotë i kësaj të drejte dhe reformimi i duhur i kuadrit ligjor respektiv duhet të përbëjë një piketat kryesore në procesin reformues të ardhshëm të kuadrit ligjor zgjedhor.
D. Përdorimi i burimeve shtetërore
Përdorimi i burimeve shtetërore në funksion të fushatave zgjedhore ka qenë dhe mbetet një problematikë madhore për realitetin dhe demokracinë tonë.
Sofistikimi i këtij fenomeni dhe veçanërisht sistemi i patronazhit politik të ngritur, kërkon kontributin dhe ndërveprimin e të gjithë aktorëve dhe të gjithë qytetarëve për çlirimin e vullnetit të votuesit nga detyrimi apo çdo ndikim tjetër i paligjshëm në abuzim të administrimit dhe përgjegjësive shtetërore e publike të marra përsipër.
Përsa i përket risisë që solli rregullimi ligjor i kësaj çështje, duhet vlerësuar por ndërkohë që, sikurse e ka bërë me dije, KRIIK vlerëson dhe thekson se efikasiteti i instrumentit të ngritur varet nga një frymë dhe sjellje ndërvepruese e KQZ-së në vijimësi me institucione të tjera përgjegjëse që ndjekin veprimtarinë e administratës publike në periudhën që paraprin, përgjatë fushatës zgjedhore, apo edhe pas zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re, si psh. Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi apo Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Duke marrë në konsideratë gravitetin e çështjes që trajtohet dhe pa referuar këtu ecurinë penale të shkeljeve zgjedhore, nevojitet një funksionim në unison i tërë hallkave administrative që ky mekanizëm të jetë funksional, i besueshëm dhe të japë kontributin e tij konkret në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Nga ana tjetër, sikurse KRIIK e ka bërë me dije edhe më parë, ka shprehur qendrimin e tij se institucioni i KQZ-së është i mbingarkuar në tagra ligjorë, ndërkohë që vuan nga një administratë e kufizuar në numër dhe ekspertizë. Gjithashtu edhe numri i instrumentave ligjorë që i janë atribuar është tepër i kufizuar në zbatimin e tagrave të ngarkuar.
Komisioni Rregullator i KQZ-së, në momentin kur miratoi rregullat për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore tregoi një të lexuar shumë të ngushtë të ligjit, duke qëndruar në pozita formaliste të gërmës së tij dhe pa marrë në konsideratë terrenin dhe mënyrat se si boshllëqet në kuadrin ligjor mund të përdoren për të abuzuar me burimet shtetërore.
Institucionet shtetërore u treguan shumë të ngadalta në nisjen e raportimit të aktiviteteve. Ritmi i raportimeve u rrit prej datës 7 janar 2021, menjëherë pasi PD dorëzoi në SPAK një padi për abuzim me burimet shtetërore.
Në vazhdim, mund të thuhet se mekanizmi për raportimin e aktiviteteve të institucioneve ka humbur kuptimin e vet dhe i mungon efektiviteti në arritjen e qëllimit të tij, duke u kthyer në një procedurë buroktratike formaliste. Një numër i konsiderueshëm i raportimeve janë pa detaje dhe e bëjnë të pamundur një monitorim efektiv.
KQZ-së i mungojnë burimet financiare dhe njerëzore për të monitoruar në mënyrë efektive dhe e bazon aktivitetin e vet në ankimime.
Përsa iu përket ankimimeve, të dyja sanksionet e vendosura nga Komisioneri janë rrëzuar prej Komisionit për Apelime dhe Sanksione (KAS), duke e bërë mekanizmin akoma më joefektiv.
Evidentohet se KAS, në rastin më të mirë, ka përdorur një të lexuar shumë të ngushtë dhe formalist të legjislacionit.
Sjellja e ofiqarëve të lartë publikë në lidhje me këtë çështje ka qenë jo në linjë me frymën e ligjit, duke përdorur boshllëqet në legjislacion për të anashkaluar zbatimin e duhur të normës dhe frymën e ligjit.
Ofiqarë të lartë publikë janë duke marrë pjesë në aktivitete të cilat përdoren për qëllime elektorale, duke përdorur në këtë mënyrë eventet institucionale për përfitim zgjedhor.
Tiranë, më 11 Mars 2021!