Vllaznia dhe Partizani ndahen 0-0, Teuta mund Laçin 1-0, ndan kreun e renditjes me shkodranët.
Janë luajtur të shtunën dy takimet e para të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, ndërsa 3 të tjerët luhen të dielën. Vllaznia dhe Partizani janë ndarë në një barazim pa gola, ndërsa Teuta ka mundur Laçin 1-0 dhe tanimë ndan kreun e renditjes me shkodranët. Përballja më e spikatur e javës së 26-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ishte ajo e së shtunës, midis Vllaznisë dhe Partizanit, që u luajt në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Takimi, që ka parë një dedikim të veçantë për 77-vjetorin e lindjes së legjendës së Vllaznisë, Ferid Rragami, por edhe një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit Bashkim Fino, të ndarë nga jeta, ka qenë më i mirë për Partizanin në pjesën e parë. Rasti më i mirë për të kuqtë për të shënuar, ka qenë në minutën e 35-të, kur Zogoviçi bën heroin dhe i mohon një gol të sigurt Bitrit, me pritjen e tij spektakolare. Tentativa e mbrojtësit brenda zonës u ndal në mënyrë mjeshtërore nga gardiani i portës së skuadrës vendase.
Ajo e dyta do të nisë e baraspeshuar dhe në minutën e 55-të, Dilaveri shpërdoron një shans të artë, kur i vetëm përballë Hoxhës, duke e dërguar topin jashtë kuadratit.
Nuk ka më gola në Shkodër dhe të dyja skuadrat detyrohen të kënaqen me nga një pikë. Një tjetër përballje e spikatur e javës së 26-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të shtunën ishte ajo midis Teutës dhe Laçit, që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Takimi është karakterizuar nga mbizotërimi i plotë i Teutës.
Dhe minuta e 35-të do të sjellë rastin më të volitshëm për Dejvi Bregun, i cili, i gjendur vetëm në zonë, gjuan me kokë një hap larg portës, por topi shkon jashtë. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura pjesa e parë, ndërsa e dyta vazhdon të mbizotërohet nga durrsakët, të cilët, 14 minuta para fundit, gjen edhe golin. Dejvi Bregu futet në zonë duke e dribluar këdo gjen përpara dhe, dhe me një gjuajtje të bukur me te djathtën, e dërgon topin në rrjetë.
Pavarsisht zëvendësimeve në çerekorën e mbetur dhe atë shtesë, Teuta mund Laçin 1-0 dhe tanimë ndan kreun e renditjes me Vllazninë, me nga 46 pikë. 3 takimet e tjera të javës së 26-të të Kategorisë Superiore luhet të dielën dhe, pasdreke, Bylisi pret Kastriotin, në takimin që nis në ora 13:00, ndërsa, duke nisur nga ora 16:00, luhen duelet Tirana-Apolonia dhe Kukësi-Skënderbeu.