Bregdetarët e Edi Martinit mundin Laçin 1-0 dhe tanimë janë përkrah Vllaznisë. Një tjetër përballja e spikatur e javës së 26-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të shtunën ishte ajo midis Teuta dhe Laçit, që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Takimi ka nisur me Teutën që rrezikon me Emiljano Vilën, i cili provon me një gjujatje nga jashtë zone, por topi shkon jashtë. Ndeshja në fakt pritej të ishte e luftuar, por edhe e ngarkuar psikologjikisht, teksa fillimisht Deliu, në minutën e 7-të dhe pastaj Musta, 5 minuta më pas, e shkruajnë emrin e tyre në bllokun e gjyqtarit Eldorjan Hamiti, pasi ndëshkohen me karton të verdhë.
Minuta e 14-të sjell një mundësi e mirë për Teutën, me Bregun që fiton goditje dënimi pranë zonës së rreptësisë pas ndërhyrjes se Harmon. Provon me gjuajtje të fortë nga goditja e dënimit vlonjati, por Sherri pret në dy kohë. Vazhdon të këmbëngulë skuadra vendase dhe 6 minuta më pas Xhekson jep një harkim të përkryer nga e majta në zonë, provon menjëherë me kokë Lorenco Vila, por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Pas një gjysmë ore lojë, janë bregdetarët që pretendojnë për një 11-metërsh, kur Bregu lëviz bukur në zonë, por në momentin e fundit rrëzohet në zonë pas një kontakti me Malotën e shtrirë përtokë.
Protestojnë durrsakët, por sipas gjyqtarit Hamiti gjithçka është e rregullt dhe vazhdon lojën. Dy minuta më pas, një tjetër mundësi e mirë për Teutën! Është përsëri Lorenco Vila, i cili pas një harkimi të përsosur të Emiljano Vilës gjuan me kokë, por topi shkon përsëri jashtë. Durrsakët mbizotërojnë dhe minuta e 35-të do të sjellë një rast të volitshëm për Dejvi Bregun, i cili, i gjendur vetëm në zonë, gjuan me kokë një hap larg portës, por topi shkon jashtë. Mbyllet kështu me rrjeta të paprekura pjesa e parë, ndërsa e dyta nis sërish me Teutën më kërkuese dhe Asion Daja provon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por topi shkon ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 57-të, tjetër mundësi e mirë për Teutën, me Lorenco Vilën që futet në zonë, provon me të majtën, por Sherri është i vëmendshëm dhe grushton topin. Dy minuta më pas vjen një tjetër pretendim për 11-metërsh i Teutës, teksa, pas një ndërhyrje të Markut, Xhekson rrëzohet në zonë, por nuk është i këtij mendimi kryesori Hamiti. Mundësia më e mirë në këtë ndeshje për Laçin vjen në minutën e 65-të, kur Mazrekaj futet në zonë pas një topi të marrë nga Lushkja, por në momentin e fundit gjuan në mes të portës, aty ku gjen Frashërin në pozicion.
Por 14 minuta para fundit, Teuta gjen golin, Dejvi Bregu futet në zonë duke e dribluar këdo gjen përpara dhe, dhe me një gjuajtje të bukur me te djathtën, e dërgon topin në rrjetë. Pavarsisht zëvendësimeve në çerekorën e mbetur dhe atë shtesë, Teuta mund Laçin 1-0 dhe tanimë ndan kreun e renditjes me Vllazninë, me nga 46 pikë.