Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi ditën e sotme një takim me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Në një komunikim për mediat, pas takimit, Balla tregoi edhe pikat për të cilat diskutoi me ambasadorin.
“Për mua gjëja më e rëndësishme që diskutova me ambasadorin italian është fillimi i punimeve të kompanisë më të madhe italiane “Eni” në qarkun e Elbasanit e cila do të na mundësojë jo vetëm më shumë vende pune në këtë qark por sigurisht do të na mundësojë një shfrytëzim më të mirë të rezervave natyrore të kësaj zone në donbi të zhvillimit ekonomik dhe social të zonës tonë. Gjithashtu, kemi diskutuar me zotin ambasador edhe për mundësinë e qoftë të financimit qoftë të ndërtimit të Bypass-it të Elbasanit nga kompani të ndryshme të interesuara italiane dhe sigurisht kemi diskutuar edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, qoftë të fushatës qoftë të ditës së zgjedhjeve dhe që biseda ka qenë një bisedë shumë pozitive”, u shpreh Balla.
Balla foli edhe për procesin zgjedhor të 25 prillit, për të cilin shprehu besimin se çdo gjë do të shkojë siç duhet. Megjithatë, ai kishte edhe një thirrje për Partinë Demokratike.
“Unë besoj që qoftë fushata, qoftë dita e zgjedhjeve do të mbyllen me qetësinë që e karakterizon popullin e nderuar të qarkut të Elbasanit dhe që thirrja ime është ndaj Partisë Demokratike dhe pjesës tjetër të opozitës që e shoqëron që duhet të marrim të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një proces të tillë dhe humbësi i zgjedhjeve duhet të garantojë njohjen e zgjedhjeve dhe PD të heqë dorë një orë e më parë të shkruarit e raportit të mos-njohjes së zgjedhjeve sepse zgjedhjet do të jenë të lira, demokratike, paqësore dhe më shumë se sa rezultati i zgjedhjeve, Shqipërisë i intereson standardi i këtyre zgjedhjeve sepse lidhet shumë ngushtë me ecurinë e procesit të integrimit,“ vijoi më tej Balla.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla pohoi se ftesa e kryeministrit Edi Rama për Bashën, është pa Sali Berishën dhe Ilir Metën.
“Ftesa e Ramës për Bashën është pa Saliun dhe Ilirin, pa ujkun dhe çakallin”, tha Balla.
Ai shtoi më tej duke thënë se dëshira e PS është që Basha të shkëputet nga kjo dyshe. Nëse nuk heq dorë është kukulla në duart e Saliut dhe Ilirit, Dëshira jonë e madhe është që të shkëputet nga dy keqpërdoruesit”, u shpreh Balla.
“PS do fitojë zgjedhjet dhe do të respektojë çdo vullnet të popullit. Thirrja ime është që PD të heq dorë nga fyerjet që u bën qytetarëve të Elbasanit. Jam i informuar përmes jush që ka ngritur një sërë akuzash për banorët përfshirë edhe mua, ndër ta një banor 70 vjeçar që është duke luftuar me Covid dhe vuan nga sëmundje të tjera të qenka pjesë e një plani që të marrë mandatin Gazmir Bardhit. Në këtë kontekst këta janë ca qesharakë që Elbasani do ti ndëshkojë me votë”, tha deputeti socialist.
Sipas Ballës, listat e publikuara në media nuk i përkasin PS.
“Parti Socialiste e Shqipërisë është Partia më e madhe në vend. Ka të dhënat e saj, të dhënat e servirura me pagesë nga një media pranë PD nuk korrespondojnë aspak me të dhënat që disponon PS. Janë të sajuara”, tha Taulant Balla.