Nga Maman SALIU
Mbas një situate të ndërlikuar në Regjimentin e Ushtrisë në Delvinë, ku krahas arrestimeve jo të pakta, pati edhe masa të shumta administrative, në nëntorin e vitit 1947 u gjykua nga udhëheqja e Ushtrisë që unë të emërohesha komisar i këtij Regjimenti, ndërsa Dane Mehmeti komandant. Episodi që dua të tregoj nuk ka lidhje me detyrën që mora, por me një ngjarje që zor se më ikën nga kujtesa. Delvina në atë kohë, ashtu si gjithë Shqipëria, kishte pësuar dëme jo të vogla nga lufta. Këto binin në sy veçanërisht te shtëpitë, rrugët dhe ambjentet publike. Sapo kisha dalë nga zyra dhe isha nisur për në shtëpi. Duke ecur me këmbë për në banesë, vrej një grup të vogël fëmijësh, që ishin bërë bashkë në cepin e një shtëpie të braktisur dhe të ulur në gjunjë krah njëri-tjetrit, diçka po bënin. Në momentin që unë u afrova pranë tyre, duke parë uniformën time si ushtarak, ata u larguan menjëherë. Kurioz se çfarë po bënin konkretisht fëmijët, kostatoj se te qoshi i ndërtesës të braktisur dhe gjysëm të rrënuar kishte dalë mbi sipërfaqe një fund i rrubullakosur metalik, që të jepte përshtypjen e pjesës fundore të një gjyleje. Krijova përshtypjen se mund të ishte ndonjë predhë e paplasur dhe me një shufër metalike, të cilët fëmijët e kishin në lënë në tokë, fillova të gërmoj rreth e përqark saj me kujdes. Duke kryer këtë proces, mbas rreth gjysëm ore gërmimi në një tokë jo shumë të butë, rezultoi se ajo nuk ishte predhë, por një tub cilindrik, me gjatësi rreth 35 cm dhe diametër afërsisht I4 cm me kapak të filetuar. Kureshtar se çfarë mund të kishte brenda, tentova të ç’filetoja kapakun. Me sforco të madhe, më në fund e hapa. Por ç’të shikoja! Nuk po u besoja syve! Brenda ishin 12 shufra floriri në gjatësinë e tubit. Ishte koha kur arka e shtetit “fliste me vete”. Grabitja e një sasie të madhe valute nga Zogu, kur iku kusarçe nga Shqipëria në Prill 1939 së bashku me suitën e vet dhe ari i rrëmbyer nga okupatorët nazistë, e imponuan shtetin e ri të nxirrte qysh në Janar 1945 “Ligjin mbi tatimin e jashtëzakonshëm”, lak që shtërngonte fytin e gjithë ish çifligarëve, bejlerëve, agallarëve si edhe tregëtarëve të pangopur, që kishin nxjerrë fitime të mëdha gjatë periudhës së okupacionit nazi-fashist. Pati nga ata, që për të mos deklaruar gjithë sasinë e arit që posedonin, mbi bazën e të cilit do të tatoheshin, një pjesë të mirë të tij e fshehën apo e groposën, pavarësisht nga shkalla e privacionit që mund të pësonin në rast se u zbulohej.
Diktuar nga kjo situatë, mendova se 12 shufrat e floririt duhet të kishin qenë e ndonjë gjakpirësi të popullit, prandaj pa u menduar gjatë, u nisa drejt godinës të Bankës së Shtetit. Aty gjeta një bankier, që në pamjen e jashtme dukej që ishte me eksperiencë në këtë fushë. Si i tregova përse kisha shkuar, i dorëzova të 12 shufrat e floririt , të cilat duhet të kalonin në interes të shtetit. Bankieri i mori menjëherë dhe unë, pa i kërkuar asnjë dokument shkresor, që të konfirmonte sasinë e derdhur, gjeneralitet e mia dhe mënyrën e shtirjes në dorë, u largova me besim të plotë se procesi ishte finalizuar me sukses.
Unë nuk ndenja gjatë me punë në Delvinë se u transferova në një detyrë tjetër dhe nuk u interesova më pas se 12 shufrat e floririt u depozituan në Bankën e Shtetit apo me to bëri ç’i deshi qejfi bankierit?!
Është legjitime të shtrohet pyetja: Po mirë që vendose ta dorëzoje mallin e gjetur, pasi nuk ishte malli yt, po të paktën dy shufra, nga 12 që ishin, nuk mund t’i mbaje, pasi ty nuk të pa njeri kur i gjete? Ashtu është, por nuk e di pse në ato çaste më oshëtiu në vesh jehona e këngës që i kushtohej babait tim, kur e kërkonin për ndihmë në shtator 1912 në luftë kundër shovinistëve grekë me Thimjo Lolin në krye: “Delvinjotë të kërkojnë,/ Japin 300 napolonë,/ Të bësh luftë me Thimjo Lolë./ S’është Saliu për zorrë,/ Por Thimjon të ma tregojnë”…..Pra këtu në Delvinë, aty ku im atë kishte shpërfillur 300 napolonë flori, si unë, i biri i tij, të shëndrohesha në një “zorraxhi” e të përlaja një mall belik, për të cilin shteti kishte nevojë imediate?!
Brezi im ishte brez idealistësh dhe çdo gjë që kryenim, e bënim me ndërgjegje të pastër, duke menduar gjithënjë interesat e shtetit dhe jo ato personale. Ky është dallimi i madh me mentalitetin që hodhi rrënjë pas viteve 90, ku makutëria për t’u pasuruar, e zhveshi individin nga çdo virtyt e vlerë shoqërore….
*Sipas kujtimeve të autorit