Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur deputetët e PS-së të rinj dhe të vjetër pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Në fjalën e tij, Rama ka bërë të ditur se pas fitimit të zgjedhjeve është momenti i duhur për të thirrur Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së.
Ai paralajmëroi se PS-ja më 12 qershor do të ketë 30-vjetorin dhe se do të jetë momentin edhe për rifreskimin e PS-së.
“Kongres të jashtëzakonshëm, por edhe të paraqesim edhe vizionin Shqipëria 2030. Qeveria e re do të formohet fill pas sezonit të verës, por puna do të nisë tani. Kongresi i Jashtëzakonshëm do të zgjedhë edhe asambelenë kombëtare kur do të hyjnë më të mirët. Jemi gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër. Mandati i tretë nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë dy të parëve në marrëdhëniet me opozitën, sado që të na sulmojnë të na shajnë dhe të provokojnë nga legjitimimi i dhënë nga votuesit, nga mos gëlltitja e humbjes së tyre”, tha Rama.
Rama më tej ka dhënë mesazhin për vazhdimin e të gjithë punës duke i thënë se kushdo që nuk arrin objektivin, duhet t’ia lërë vendin dikujt tjetër.
Rama: Të gjithë duhet të ndiheni fitues si pjesë e kësaj skuadre fituese dhe duhet të jeni gati të punoni në parlament, në qeveri për ta kthyer këtë fitore tonën në fitore të madhe për Shqipërinë. Pavarësisht arritjeve, të gjithë këtu e kanë dhënë një kontribut në këtë fitore. Ndërkohë dua që të jem i qartë dhe për faktin se për mua, sic e kam thënë dhe para ndeshjes, nuk kanë rëndësi votat individuale, por triumfi i PS dhe synimi i objektivave në nivel qarku.