Në mbledhjen e kësaj të hënë, Komisioni Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës mori në shqyrtim materialet e dërguara nga AMA në lidhje me pretendimet për shkeljet e Presidentit.
Në fakt, nuk bëhet fjalë për diçka të re, por për kronika apo deklarata në emisione televizive, si dhe statuse në Facebook të ilir Metës, të njohura gjërësisht për shqiptarët.
Publikimi i “provave” nga ana e socialistëve, nisi me përplasjen e Metës me punonjësit e Policisë Bashkiake të Tiranës në selinë e FRD-së, për të vijuar me deklaratat me “prerje duarsh”.
“Ta dijë mirë kushdo nga ata që ke nxjerrë atje ti, një votë u prek do të pritet dora dhe kjo nuk është në kuptimin figurativ”, ka thënë në një ndër to Meta.
Ndër provat që u paraqitën në komision ishin dhe deklaratat e Metës në një emision për ambasadoren Yuri Kim.
“Pjesën e materialeve audio-vizive, të gjithë kolegët mund t’i kenë në celularët e tyre dhe mund t’i shohim vetë. Për efekt të procedurës ne i shfaqim, por është mirë që edhe anëtarët e komisionit t’i kenë këto pamje.”, tha anëtarja e komisionit, Klotilda Bushka, e cila më pas citoi disa deklarata.
“Ndëshkoni pamëshirë, këdo që ju blen votën, një votë po u prek do i pritet dora. Nëse Rama fiton 71 mandate në mënyrë të ndershme, jap dorëheqjen dhe dal në opozitë. Tani Live më shkruajti Yuri Kim për të mos përmendur sfurqet, unë i them ambasadores që mos mbështet Edi Ramën. Patronazhistët janë duke u fshehur sepse kanë frikë se i kapin qytetarët dhe i kërkojnë llogari për publikimin e të dhënave.
Ilir Meta nuk pyet për gangsterët, kam një paralajmërim për mafien. Intervistë për një televizion në Vlorë, Meta: Qeveria po tenton marifetet por do e ketë të pamundur”, citoi ndër të tjera anëtarja e Komisionit, Klotilda Bushka.
Këto prova, janë edhe arsyet që pretendon Komisioni Hetimor, për shkarkimin e Ilir Metës. Kjo është tentativa e dytë e socialistëve për të shkarkuar kreun e shtetit, ndërsa nisma e parë dështoi pasi kauza u rrëzua nga Venecia.
Të martën (18 Maj) është caktuar mbledhja e radhës ku Presidenti Ilir Meta është ftuar në një seancë dëgjimore. Nuk dihet nëse kreu i shtetit do marrë pjesë. Aktualisht presidenti nuk ndodhet në Shqipëri.