Gjykata e Prishtinës ka shpallur të pafajshëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje deputetët dhe ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që kundërshtuan marrëveshjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi në 2016-ën, duke hedhur gaz lotsjellës në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.
Akuza për “armëmbajtje pa leje” u ngrit ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputetëve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu që akuzoheshin për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjithashtu, sipas gjykatëses, edhe nga vërtetimi mbi kthimin e sendit gjykata konsideron se po të ishin armë ashtu siç pretendon prokuroria, të njëjtat nuk do të ishin kthyer tek i pandehuri Lekaj.
Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës. Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.