Almario Uka
Prezenca e fortë e sponsorave kinez në ceremoninë hapëse të kompeticionit më të madh futbollistik në Europë, UEFA EURO 2020 nuk kaloi pa u vënë re nga një pjesë e madhe e sportdashësve. Kufizimet e pandemisë së koronavirusit nuk arritën t’i eklipsonin katër nga dymbëdhjetë sponsorat kryesorë të këtij eventi. Kjo prezencë dëshmon qartazi ambicien e kompanive kineze për t’u përhapur globalisht. Hisense, Alipay, Vivo dhe TikTok janë sponsorët kryesorë të Kampionatit Europian 2020, duke e bërë Kinën një ndër burimet më të mëdha të sponsorizimit të këtij eventi. Sëbashku me kompanitë kineze sponsorizojnë FedEx, Coca-Cola dhe Booking.com amerikane; Volkswagen gjermane; Heineken dhe Takeaway.com hollandeze; dhe Qatar Airways.
Përgjatë 2021-shit dhe 2022-shit, do të mbahen njëra pas tjetrës tre eventet më të mëdha sportive botërore siç janë, UEFA EURO 2020, Lojrat Olimpike Tokyo 2020 dhe Kupa e Botës Qatar 2022. Kjo shihet si një mundësi e jashtëzakonshme për brandet kineze që t’i afrohen sa më shumë konsumatorit duke shfrytëzuar imazhin e këtyre kompeticioneve nëpërmjet sponsorizimeve. Për gjigantin e elektronikës Hisense, kjo është hera e dytë e sponsorizimit të një eventi të këtyre përmasave pas UEFA EURO 2016 në Francë. Që nga ajo kohë, shitjet për kompaninë u dyfishuan, kryesisht në tregjet e mëdha europiane të Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës. Mesa duket, drejtuesit e kompanisë kanë vendosur të ndjekin të njëjtën llogjikë, ku pritshmëritë janë shumë të larta.
Një tjetër platformë dixhitale entertainment nga Kina- TikTok sponsorizon kompeticionin duke shpërndarë video të shkurtëra në formë reklamash tek përdoruesit e këtij rrjeti social në masë të gjerë. Qëllimi i kësaj platforme është i qartë, që të çimentojë reputacionin e saj si shtëpia për të gjithë fansat e futbollit që duan të shprehin pasionin e tyre për lojën dhe t’a bëjë audiencën të vetëdijshme mbi rëndësinë e kësaj platforme. TikTok ka fituar një popullaritet të madh së fundmi në shumë vende të botës dhe shikohet nga vëzhguesit e kësaj industrie si brand-i më i suksesshëm kinez që po merr përmasa globale.
Në Kinë, sporti, veçanërisht futbolli, vlerësohet si shumë popullor tek konsumatori europian. Prandaj, duke sponsorizuar evente të tilla si Kampionati Europian do të jetë me e lehtë për të lidhur brand-in me audiencën, gjë që sjell përfitime të jashtëzakonshme për bizneset. Shembuj të këtij suksesi janë kompanitë japoneze që sponsorizuan një numër të lartë eventesh sportive ndërkombëtare përgjatë viteve 1980-të apo kompanitë koreano-jugore përgjatë viteve 1990-të. Në të dyja rastet rezultatet ishin mbresëlënëse për rritjen e vlerës dhe njohjes së këtyre kompanive. Tani, kompanitë kineze që janë shumë konkurruese në fusha si elektronika, pajisjet elektro-shtëpiake, pajisjet telefonike, dhe IT-ja, kërkojnë të ndjekin të njëjtën rrugë dhe të korrin të njëjtin sukses. Shembulli i Hisense pesë vite më parë, e dëshmojë këtë suskes. Kompanitë kineze po rrisin investimet e tyre në kërkim dhe zhvillim teknologjik duke rritur pjesëmarrjen në zinxhirrin global të vlerave.
Rruga drejt globalizmit duket të jetë plot pengesa për kompanitë kineze. Sipas zyrtarëve kinez, veprime të paarsyeshme anti-globaliste dhe proteksioniste kanë dhënë impaktin e kundërt nga sa pritej prej ndërmarrësve të këtyre veprimeve. Për shkak të pandemisë Covid-19, manufaktura në Indi dhe baza kryesore e lëndës së parë në Vietnamin veriorë u dëmtuan rëndë. Kjo i dha kompanive kineze një avantazh të padiskutueshëm për të qenë të vetëm pranë konsumatorit final në shumë tregje të botës, kryesisht në botën zhvilluar.
Një tjetër shembull është firmosja e një marrëveshje qindra-milionë dollarë për të sponsorizuar Lojrat Olimpike që do të mbahen midis viteve 2020-2028. Pas kësaj marrëveshje qëndron gjiganti i shitjeve online Alibaba, të cilin e shohim edhe si një ndër katër sponsorët kryesorë kinez të UEFA EURO 2020. Prodhuesi i smartphone-ve Vivo është zgjeruar në tregun europian qysh nga Tetori 2020, pas ndalimit të tregtimit që i’u bë prodhuesit tjetër kinez, Huawei. Aktualisht, Vivo mbulon disa tregje të Europës Lindore dhe planifikon që të shtrihet në dymbëdhjetë shtete europiane deri në fund të këtij viti. Sponsorizimi i eventit në fjalë i shërben këtij qëllimi. Vivo përpiqet t’i përshtatet mentalitetit, kulturës dhe menaxhimit lokal, si filozofi shërbimi ndaj klientit duke e ndihmuar atë të integrohet më mirë brenda këtij tregu. Gjithashtu, respektimi i partnerëve europian dhe plotësimi i nevojave të konsumatorit lokal e bëjnë Vivo-n një kompani serioze dhe të angazhuar për të arritur qëllimet e saj në tregjet europiane- kështu shprehet Zv. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë për Europën. Kjo strategji përhapje ka rritur me dyfish aksionet tregtare të kompanisë, nga viti 2018 deri në momentin që flasim.
Për t’u rikthyer tek Hisense, që po përshpejton përhapjen e saj globale, sapo ka filluar ndërtimin e një parku industrial në kryeqytetin e Meksisës, me qëllimin për të qenë më afër konsumatorit në tregjet e Meksikës, SHBA-së dhe Kanadasë. Ky zgjerim vjen menjëherë pas atij investimi gjigant në industrinë prodhuese të kondicionerëve në Tailandë. Pra, siç shihet, të katër sponsorët kinezë të Kampionatit Europian 2020, fshehin shumë qëllime ambicioze biznesi pas atyre reklamave të shumta që ne shohim gjatë transmetimit të ndeshjeve në disa kryeqytete europiane.
A është kjo thjesht dhe vetëm çështje biznesi?
Pavarsisht vështirsive, kompanitë kineze kanë pranuar si strategjinë e tyre themelore, prej të cilës nuk duket të heqin dorë, përhapjen në tregjet e jashtme mbarëbotërore. Për të arritur këtë duhet një mbështetje e madhe financiare dhe politike nga emëruesi i përbashkët i këtyre kompanive, Partia Komuniste Kineze. Për t’u rikthyer tek ajo që thamë në fillim, gjeopolitika nuk ka arritur t’i ndalojë kompanitë kineze të përhapen globalisht. Në vendet e zhvilluara perëndimore, kompanitë privatë operojën mbi parimin e konkurrencës së lirë dhe të ndershme bazuar në rregullat e tregut. Është tregu që vendos për vazhdimësinë e veprimtarisë së një kompanie. Duke qenë se viti i kaluar i pandemisë Covid-19 ndikoi në rrënien e rendimentit të shumë kompanive me shtrirje multi-nacionale, i vuri ato në vështirësi të mëdha ekonomike dhe një pjesë e tyre falimentuan. Nga ana tjetër, kompanitë kineze të mbështetura nga shteti kinez me anë të subvencioneve, një praktikë që bie në kundërshtim me rregullat e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në tregjet globale, i’a dolën të mos ndikohen thelbësisht nga pandemia Covid-19. Kjo i bëri këto kompani, jo vetëm të mos dëmtohen, por madje të shpenzojnë shuma të mëdha parash në marketing duke sponsorizuar evente të tilla sportive si Kampinati Europian 2020, me qëllim rritjen dhe përhapjen e shpejtë globale duke përfituar nga situata.
Prandaj, mbështetja financiare e këtyre kompanive nga shteti kinez, është një veprim politik që kërkon të dëshmojë rritjen e fuqisë së Kinës në arenën globale. Në 100-vjetorin e Partisë Komuniste Kineze, Presidenti Xi Jinping u shpreh që Kina duhet respektuar nga bota e zhvilluar perëndimore, pasi ajo nuk është më një shtet semi-kolonial i përçmuar, siç ka ndodhur ndër shekuj, por një konkurrent i denjë i Perëndimit. Sipas tij, Kina nuk kërkon krijimin e një fuqie të re koloniale globale, por thjesht ndërtimin e marrëdhënieve të mira me botën e jashtme, si një aktor i barabartë. Në fund mund të themi që, Kina po përdor kompanitë e saj si instrumente në mjedise me audiencë të lartë siç janë eventet sportive, për të dëshmuar fuqinë e saj ekonomike dhe politike.