Një 34-vjeçar nga Saranda ka rënë në prangat e Policisë së Fierit pasditen e djeshme, pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm me një makinë që e kishte marrë me qera.
Nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Forca e Posacme “Shqiponja” në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Tepelenë-Fier, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit” duke transportuar me automjetin tip “Toyota”, të cilin e kishte marrë me qera, 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.