Në Shqipëri është rritur çmimi i bukës dhe prej ditësh furrat po shesin me çmim deri në 10% më të lartë. Shkak për këtë është bërë shtrenjtimi i miellit, si pasojë e mungesës së grurit që importojnë nga jashtë. Lidhur me këtë çështje Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës ka bërë me dije se kompanitë e prodhimit dhe importit e tregtimit të miellit janë nën monitorim prej një viti tashmë.
Autoriteti i Konkurrencës gjatë një monitorimi të nisur që në korrik të 2020 konstatoi se 5 kompanitë kanë vendosur në mënyrë të përbashkët të caktojnë çmimin e shitjes duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit duke shkelur kushtet për mbrojtjen e konsumatorit. Për këtë Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar ndërhyrje Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Autoriteti i Konkurrencës ka detyruar këto kompani të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes dhe mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, në të kundërta do të ketë penalitete. Megjithatë aktualisht situata është ende nën monitorim dhe nuk ka një vendim. Gjithashtu çdo 3 muaj kompanitë kanë detyrim të raportojnë të dhënat mbi blerjet dhe shitjet.
Njoftimi i plotë/ Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se:
1. Komisioni i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrime dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU” ka vendosur:
I. Konstatimin e sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal, sjellje e cila bie në kushtet e zbatimit të nenit 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
II. Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK si vijon:
1. Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
2. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
3. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
4. Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.
III. Moszbatimi i përmbushjes së pikës III të këtij vendimi, në zbatim të nenit 73 dhe 74 të ligjit nr. 9121/2003, ndëshkohet me penalitetet përkatëse.
IV. Monitorimin e sjelljes së ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për një periudhë 1 (një) vjeçare.
2. Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me një vendim mbi zbatimin e kushteve dhe detyrimeve të dhëna me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 të cilat shtrihen në kohë edhe pas përfundimit të periudhës 1 (një) vjeçare të monitorimit.