Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Trip” si rezultat i të cilit ka rënë në pranga një 35-vjeçar. Ky i fundit në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë kundrejt shumës rreth 25.000 euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle dy shtetas dhe dy fëmijet e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale e falsifikimit të dokumentave dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit, sherbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve në DVP Tiranë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Last Trip”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
N.M., 35 vjeç. Si dhe u proceduan shtetasit K. M., 41 vjeç dhe S. A., 31 vjeçe.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi N.M në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë (punohet për identifikimin e tyre) kundrejt shumës rreth 25.000 Euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle shtetasit K. M dhe S. A, dhe dy fëmijet e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.
Shtetasit K. M dhe S. A, kanë tentuar dy herë të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit por si rezultat i forcimit të masave të kontrollit në këtë aeroport nuk kanë mundur dot të largohen”, njofton policia.
Sakaq janë sekuestruar 4 pasaporta të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme.