Partia Demokratike ka surprizuar ditën e djeshme duke bërë publike kërkesën për ndryshimet Kushtetuese për; vetingun në politikë, reformën territoriale dhe ligjin zgjedhor. Nga ana tjetër, PS ka paraqitur vetëm amendamentin për ndryshimet kushtetuese në lidhje me zgjatjen e afateve të komisioneve të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Do ketë apo jo pazare politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike do të shihet tani që po veprojnë të dyja në kundërshti me njëra-tjetrën. Partia Socialiste ende pa marrë miratimin e Partisë Demokratike dërgoi në Kuvend amendimin për zgjatjen në kohë të veprimitarisë së vetintgut, duke testuar kështu edhe sjelljen e demokratëve. Por demokratët pa ju tharë vula e protokollit të Kuvendit (për projektligjin), ka bërë gati amendimet e saj për ndryshimet Kushtetuese që vetëm me atë që ka dorëzuar PS-ja nuk ka lidhje. Kjo edhe për të testuar “pushtetin” e mazhorancës pa opozitën. Pra në Kuvend do jenë dy amendime, një nga PS për Vettingun dhe një nga PD që ka të bëjë me vitingun e politikanëve dhe ndryshimet kushtetuese që lidhen me Reformën Zgjedhore dhe Teritoriale. Këtu Partia Demokratike ka vënë në lojë “forcën” e Bashës, duke e kthyer arenën politike në një provë tjetër, që mund të futet edhe roli i ndërkombëtarëve kur çështjet të ngecin. Ditën e mërkurë, kjo forcë politike do ti adresoje ato në Kuvend, çka pritet që brenda këtij viti, PS-PD të gjejë gjuhën e konsensusit për të bërë ndryshimet Kushtetuese. Duket se Partia Demokratike lëvizi nga llogorja e saj, duke e filluar pikërisht me mos bindjen e saj ndaj Partisë Socialiste, e duke i vënë kësaj të fundit kushtet e negociatave. Pra tashmë, PD-PS i hyri pazareve politike. Me kërkesën edhe të faktorit ndërkombëtar është kërkuar zgjatja e afateve të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Pa votën e demokratëve është e pamundur të realizohet, pasi kërkohet 94 vota për të ndryshuar Kushtetutën. PD pranoi në heshtje se mund të japë votën e saj për këtë çështje, por si “kompensim” tashmë kërkon edhe ndryshimet Kushtetuese në vetingun ndaj politikanëve, Reformën Terriotoriale dhe Ligjin Zgjedhor. Më e rëndësishme mbetet ligji zgjedhor që u ndryshua në mënyrë të njënashme vitin e kaluar pa praninë e opozitës aktuale.
Basha në “lojë” të re
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri publik tre amandamentet e miratuara në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ditën e sotme. Basha theksoi se amandamentet e miratuara fokusohen në reformën zgjedhore, vetingun e politikanëve dhe reformën territoriale. Kryedemokrati propozoi një veting të politikanëve në bazë të rekomanimeve të Komisionit të Venecias, ku për të ruajtur proporcionalitetin e procesit, verifikimi i pasurisë dhe pastërtisë së figurës të kryehet nga SPAK-u. “Lidhur me kthimin e Shqipërisë në shinat e demokracisë, me punësimin e shqiptarëve, çmimet, rrogat, fatin dhe sigurinë e tyre, grupi i PD-së ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në parlamentin e Shqipërisë amendamentin për; zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës së 30 korrikut dhe miratimin e komisionit të Reformës Zgjedhore. Partia Demokratike do të dorëzojë në parlamentin e Shqipërisë gjithashtu amandamentin për vetingun e politikanëve dhe miratimin e reformës zgjedhore. Amandamenti për vendingun e politikanëve do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Respektojmë kërkesën për propocionalitet që theksohet në pjesën e dytë të Komisionit të Venecias, që këtë veting ta kryejë SPAKU, në lidhje me pasuritë e e pajustifikueshme të politikanëve dhe lidhje e tyre me krimin. Amendamenti i tretë ka të bëjë me reformën territoriale, të cilën edhe Bashkimi Europian e quan të dështuar. Pushteti lokal do t’i kethehet qytetarëve.”, tha Basha.
Kërkesa e PS
Pas miratimit të qeverisë dhe betimit të deputetëve, Partia Socialiste në krye të asaj here kërkoi bashkëpunim me opozitën Kushtetuese. Ka qenë Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar dhe më pas ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja që ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën. Vetë demokratët kanë artikuluar kërkesën për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve përfshi shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimin.
Amendamenti
Është depozituar në Kuvend projektligji i iniciuar nga socialistët për zgjatjen e afateve të Komisioneve të Vetingut. Në projektligjin që është dorëzuar në Kuvend kërkohet që të ndryshohet afati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, mandati i të cilit mbaron vitin e ardhshëm. Socialistët kërkojnë që afati i tij të përfundojë në 31 Dhjetor të vitit 2024, ndërkohë që KPA ka mandat deri në vitin 2025, parashikuar në Kushtetutë. Sipas socialistëve, zgjatja e afateve të komisioneve të vetingut është diskutuar dhe me partnerët e Shqipërisë si SHBA-të dhe BE, ndërkohë që për të bërë të mundur votimin e tyre në Kuvend, do të duhet dhe dakordësia e opozitës, pasi kërkohet të ndërhyhet në Kushtetutë.
Basha: Nuk ka pazar politik, do korrigjojmë gabimet
Kryedemokrati Lulzim Basha e ka mohuar kur është pyetur nga gazetarët nëse Vetingu i politikanëve është kushti i PD për socialistët, me qëllim votimin në Kuvend pro zgjatjes së afateve për organet e drejtësisë. Kryedemokrati Basha u shpreh se “nuk bëjmë pazar dhe nuk futemi për pazar” në këtë nismë. “Nuk bëjmë pazar dhe nuk futemi për pazar, këto janë çështje të rëndësishme për shqiptarët. Rikthimi i institucionit të votës së lirë është çështje e shqiptarëve jo e PD. Vetingu i politikanëve që është pastrimi i politikës nga politikanë të inkriminuar dhe të korruptuar është çështje e shqiptarëve, reforma territoriale është çështje e shqiptarëve”, tha Basha. Kryedemokrati tha se do të korrigjojnë ato që janë votuar në mënyrë të njëanshme. “Për këtë arsye do çojmë përpara axhendën tonë të ndryshimeve që u shërbejnë shqiptarëve. Sistemi zgjedhor, kthimi i ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut është një hap i kësaj paketë, sikundër komisioni zgjedhor që do të formohet pas depozitimit të kërkesës tonë ka për detyrë që në konsultim me shqiptarët të shtrojë rrugën përpara për gjithë çështjet e tjera që kanë të bëjnë edhe me sistemin zgjedhor”, tha më herët kryedemokrati.