Më 28 tetor të vitit 1940 filloi lufta italo-greke e nisur nga territori i Shqipërisë së okupuar nga Italia fashiste. U përdor si shkas vrasja e Daut Hoxhës në Konispol.
Gjatë fushatës që i parapriu sulmit italian mbi Greqinë, shumica e deklarimeve e zyrtarëve shqiptarë dhe italianë, u shoqëruan me manifestime, ku folësit e ndryshëm i referoheshin bashkimit të pashmangshëm midis shqiptarëve të përtej kufijve me vendin amë.
Në Greqi do të ndodhte dhe hedhja poshtë e ultimatumit të famshëm italian nga ana e Kryeministrit Ioannis Metaxas. E njohur ndryshe dhe si “Dita e Jo-së”, ky moment, simbolizon edhe fillimin e Luftës Italo-Greke. Qeveria greke refuzoi me një jo të prerë, notën italiane, që parashikonte lënien e disa bazave ushtarake në tokën greke, trupave të Mussolinit. Për këtë arsye Italia fashiste nisi sulmin frontal ndaj ushtrisë greke.
Forcat në luftim
Ushtria italiane ndodhej e rreshtuar në të gjithë gjatësinë e kufirit shqiptaro-grek, rreth 250 km. Pa llogaritur armatimet, burimet italiane flasin për 87 mijë forca të rreshtuara në frontin grek, prej të cilave 55 mijë në Epir, midis të cilave edhe gjashtë batalione shqiptare. Në kufirin me Jugosllavinë ishin lënë 12 mijë forca. Burimet greke japin një numër shumë më të madh forcash.
Në ushtrinë italiane morën pjesë: batalioni “Tomorri” në Regjimentin 83 të divizionit “Venecia”, batalioni “Korabi” në Regjimentin 77 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Kaptina” në Regjimentin 78 të divizionit “Lupi di Toscana”, batalioni “Gramoz” në Regjimentin 47 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Dajti” në Regjimentin 48 të divizionit “Ferrara”, batalioni “Tarabosh” në Regjimentin 3 Grenadier.
Përballë forcave italiane, në anën tjetër të kufirit, në Epir, shtabi i ushtrisë greke kishte mobilizuar potencialet më të mira ushtarake greke. Sipas burimeve greke të kohës, raporti i forcave të vendosura në vijën e parë të luftimeve në 28 tetor ishte: 5 divizione greke kundër 10 italiane.
Sulmi ndaj Greqisë
Në mëngjesin e 28 tetorit 1940, trupat italianë në Shqipëri, nën komandën e gjeneralit Sebastiano Visconti Prasca, do të nisnin marshimin për sulmin kundër Greqisë.
Një nga kronikat e para të Institutit “Luce” që pasqyroi këtë sulm ishte kronika 89/1940, me titull “Marshimi i trupave italiane drejt Greqisë”, si edhe filma të tjerë propagandistikë e mashtrues që falsifikonin qëndrimin e popullit shqiptar përballë agresionit fashist kundër Greqisë.
Në fakt nëkëtë luftë u përfshinë edhe batalionet shqiptare. Madje në mënyrë simbolike ishin dy batalione të Milicisë Fashiste Shqiptare që në mëngjesin e 28 tetorit sulmuan të parët kufijtë grekë në Epir. Por u zhgënjyen shumë shpejt. Pritshmëria nga shqiptarët në frontin e luftimeve rezultoi zhgënjyese. Dezertimi u bë një fenomen masiv dhe i organizuar.
Musolini dhe Emanueli III në Shqipëri
Të shqetësuar nga gjendja, vetë Musolini vizitoi frontin grek prej 2-21 mars 1941. Megjithëse ai erdhi i maskuar në Shqipëri, “Luce” i kushtoi një kronikë të posaçme kinematografike të destinuar për t’u shfaqur në ekranet italiane. Kjo vizitë kishte për qëllim të tregonte “trimërinë” e udhëheqësit fashist dhe për të ngritur moralin e trupave që ishin dekurajuar e rraskapitur nga sulmet e pandërprera të forcave patriotike greke, nga sabotimet e furnizimeve dhe nga goditjet që po pësonin ato nga ana e popullit tonë që ishte ngritur në luftë.
Po në këtë kohë, – më 11 maj 1941 – bëri një vizitë në Shqipëri Mbreti i Italisë, i vetëquajturi Mbret dhe i Shqipërisë, Viktor Emanueli III. Kësaj vizite fashistët i dhanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe bënë përgatitje të mëdha për ta pritur me pompozitet. Por me gjithë këto masa, siç dihet, populli shqiptar e priti mbretin italian me plumba, ku Vasil Laçi, i bëri atij atentat duke depërtuar midis morisë së përkrahësve dhe mbrojtësve të mbretit italian.
Sheshbeteja
Lufta italo-greke u zhvillua thuajse në territorin shqiptar për rreth gjashtë muaj.
Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u thye dhe u detyrua të tërhiqet nga tokat e pushtuara greke. Gjatë muajve dhjetor 1940-prill 1941 lufta u zhvillua në tokën shqiptare e nga fundi mori formën e luftës pozicionale.
Në përfundim të kësaj lufte, Shtabi Madhor i ushtrisë italiane raportoi se ishin vrarë afro 14 mijë njerëz, ishin plagosur rreth 51 mijë të tjerë dhe llogariteshin të humbur mbi 25 mijë vetë.
Pas thyerjes së këtij sulmi, Italia i kërkoi ndihmë Gjermanisë, dhe kjo e fundit e pushtoi të gjithë Greqinë.
Më 4 prill 1941 Gjermania hitleriane i erdhi në ndihmë Italisë fashiste duke sulmuar Greqinë nga toka bullgare. Në këto rrethana ushtria mbretërore greke kapitulloi dhe vendi u pushtua nga fashistët e nazistët.
Enciklopedia
Në enciklopedinë shqiptare për këtë luftë thuhet: Populli shqiptar, megjithëse i pushtuar vetë nga Italia fashiste, e kundërshtoi dhe e sabotoi me aksione të guximshme agresionin fashist kundër Greqisë dhe bëri çmos për të ndihmuar popullin grek në luftën e tij çlirimtare. Ushtarët shqiptarë që u dërguan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan në masë; sabotimet kundër makinës ushtarake fashiste u bënë më të shpeshta edhe në prapavijat; popullsia e zonave të pushtuara nga forcat greke i ndihmoi këto me sa mundi. Por qeveria greke, si gjatë Luftës II Botërore ashtu dhe pas mbarimit të saj mbajti një qëndrim të hapur shovinist ndaj popullit shqiptar. Ajo u përpoq të vinte në jetë planet e vjetra të borgjezisë grekomadhe për aneksimin e Korçës e të Gjirokastrës. Për më tepër ajo, nën preteksin se Italia fashiste sulmoi Greqinë nga toka shqiptare, shpalli në nëntor 1940 si shtet armik edhe Shqipërinë dhe deklaroi “gjendjen e luftës” ndaj saj. Ky dekret absurd e antishqiptar mbeti në fuqi edhe pas mbarimit të Luftës II Botërore.
