Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame i shoqëruar nga drejtoresha e Drejtorisë Vendore Tirana-Veri Elira Gogo, kanë qenë në një takim me banorët e një pallati në zonën e quajtur Don Bosko për të dorëzuar cerifikatat e pronesisë. Legalizimi i këtij pallati u bë i mundur pasi administratori i vendosur nga banorët e pallatit u interesua pranë zyrave të ASHK-së, pas braktisjes së pallatit nga investitori. Ky i fundit, i la qytetarët që kishin blerë njësi banimi dhe biznesi pas shkeljes së lejes së ndërtimit dhe mos pajisjes me leje përdorimi nga Bashkia Tiranë. Banorët të vënë në këto kushte ju drejtuan procesit të legalizimit. Edhe pse banorët e kanë bërë më herët kërkesën, në vitin 2017 dosja u mbajt e pezulluar derisa sa doli ligji 20/20. Ky ligj zhbllokoi rrugën për legalizim, pasi disa posedues të njësive ishin në proces gjyqësor. Me zbatimin e këtij ligji, banorët të cilët nuk kishin një proces gjyqësor vazhduan me procesin e legalizimit, ku sot u pajisën me vendim, ndërsa ata që janë në proces gjyqësor do t’ju emetohet leja pas vendimit të marrë nga gjykata. Drejtori i Përgjithëshëm i ASHK-së Artan Lame ju kujtoi banorëve se para disa vitesh ndodhej pikërisht në zonën e “Don Boskos” për të dorëzuar lejet e legalizimit. “Kemi qenë në këtë zonë me kryeministrin, jo më larg se 50 m që këtu. Legalizimin e pallateve e kemi filluar fiks në këtë zonën këtu para disa vjetësh, me ato qe quheshin pallatet e Arabit. Ka qenë ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama sepse kishin mbetur për gati 15 vjet pa u pajisur me certifikatë pronësie. U detyruam të bënim një VKM të posaçme vetëm për ato pallate dhe në atë eksperiencë të parë vume re dyndjen e njerëzve që donin të legalizonin pallatet. Më pasi hymë procedurave për të bërë legalizimin e pallateve sipas tipologjisë, derisa sa arritëm tek ligji 20/20”, tha Artan Lame.
Drejtoresha Elira Gogo ka shpjeguar procesin se si u arrit legalizimi i pallatit. “Investitori ka shkelur lejen e ndërtimit dhe për këtë arsye nuk ka marrë dot lejen e përdorimit. Vet subjekti ka bërë pranë ish-ALUIZNI-it vetdeklarimin, po kur ne kemi nisur procedurat e lajëmrimit investitori nuk është përgjigjur. Janë paraqitur vet banorët e këtij pallati, por ne nuk vijonim dot kur vërejtëm se kishte procese gjyqësore. Me ndryshimet ligjore të 20/20, me kërkesën e administratorit u bë e mundur emetimi i lejeve, pas plotësimit të dokumentacionit tekniko- ligjor”, tha Gogo. Lame ka përsëritur thirrjen që të gjithë banorët duhet të bëhen bashkë për të finalizuar procesin e legalizimit të pallatit. Pallati në fjalë është ndërtuar në vitin 2007 dhe ka rreth 80 njësi banimi dhe shërbimi. Gjithashtu procedurat e legalizimit janë mbyllur edhe për ato familje të cilët janë emigrantë dhe nuk kanë mundur të paraqiten, por që me prokurë ia kanë lënë të drejtën administratorit për të kryer procedurat e marrjes së certifikatës.